Apeli ua vërteton dënimet Endrit Shalës, Sami Lushtakut dhe Dardan Gashit

Apeli ua vërteton dënimet Endrit Shalës, Sami Lushtakut dhe Dardan Gashit

Gjykata e Apelit ua ka vërtetuar dënimet e shqiptuara nga shkalla e parë, zëvendëskryeministrit në largim, Dardan Gashi, ministrit në largim të Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, ish-kryetarit të Skenderajt, Sami Lushtaku dhe të tjerëve, që akuzohen për gjuajtjet me armë në odën e zëvendëskryeministrit në largim Fatmir Limajt në Malishevë.

Kështu, Apeli e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Prokurorisë Themelore në Gjakovë, e cila kishte kërkuar ndryshimin e  aktgjykimit të shkallës së parë, duke kërkuar dënime më të larta ndaj të akuzuarve, me të cilat dënime sipas prokurorisë do të arrihej qëllimi i dënimit.

Ndërsa, të akuzuarit, nuk kishin ushtruar ankesë ndaj aktgjykimit të shkallës së parë.

Gjykata Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë, më 1 mars 2019, të akuzuarit Dardan Gashi, Endrit Shala, Sami Lushtaku, Behar Amerllahu, Fadil Demiri dhe Sherif Krasniqi i kishte shpallur fajtor për veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Ministri në largim i Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Dardan Gashi është dënuar me 1700 euro gjobë.

Kurse, ministri në largim i Tregtisë dhe Industrisë Endrit Shala është dënuar me 2400 euro gjobë.

Ish-kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku është dënuar me 1700 euro gjobë.

Me nga 1700 euro gjobë janë dënuar edhe tre të akuzuarit e tjerë, Behar Amerllahu, Fadil Demiri si dhe Sherif Krasniqi.

Mirëpo, sipas Prokurorisë Themelore në Gjakovë, dënimet e shqiptuara janë të buta, bazuar në neni 374 të Kodit Penal, paragrafi 1, i cili parasheh se “Kushdo që mban në pronësi, kontrollon ose posedon armë në shkelje me ligjin e zbatueshëm lidhur me armë të tilla, dënohet me gjobë deri në shtatëmijë e pesëqind (7.500) Euro ose me burgim deri në pesë (5) vjet”.

Tutje, në ankesën e prokurorisë thuhet se gjykata është dashur të ketë pasur parasysh mënyrën e kryerjes së veprës penale, pasi që të akuzuarit kanë kryer veprën penale në vend publik dhe kanë mundur që të rrezikojnë edhe persona që gjendeshin në atë hapësirë ku ka ndodhur rasti, për cka sipas prokurorisë dënimi i shqiptuar nuk i është përgjigjur rrezikshmërisë shoqërore dhe vlerës së mbrojtur.

Por, të gjitha këto pretendime të Prokurorisë Themelore në Gjakovë i ka hedhur poshtë si të pabazuara Gjykata e Apelit.

“Kjo gjykatë vlerëson se gjykata e shkallës së parë me vërtetimin e drejtë dhe të plotë të gjendjes faktike, e që është bërë me pranimin e fajësisë së të akuzuarve në shqyrtim gjyqësor të drejtë, duke aplikuar ligjin penal kur të akuzuarit i ka shpallur fajtorë për veprat penale të cilat iu janë vënë në barrë me anë të aktakuzës ”, thuhet në aktgjykimin e Apelit, të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktgjykimit të shkallës së dytë, pretendimet e prokurorit të shtetit se dënimi i shqiptuar nuk është në proporcion me veprat e kryera, të njëjtat pretendime nuk qëndrojnë, pasi gjykata e shkallës së parë konform dispozitave të neneve 73, 74,75, dhe 76 të KPRK-së, i ka vlerësuar rrethanat lehtësuese dhe rënduese që ndikojnë  në llojin dhe lartësinë e dënimit.

“Rrethanat e pretenduara rënduese në ankesën e Prokurorit, sipas vlerësimit të kësaj gjykate nuk janë të asaj rëndësie, që të ndikonin në shqiptimin e një dënimi tjetër nga ai të cilin e ka shqiptuar gjykata e shkallës së parë”, thuhet në arsyetimin e aktgjykimit të Apelit.

Po ashtu, në aktgjykimin e shkallës së dytë thuhet se diapozitivi i aktgjykimit të ankimuar është në harmoni me shkallën e përgjegjësisë penale të akuzuarve, si ekzekutor dhe me intensitetin e rrezikimit apo vlerës së mbrojtur.

Në fund të aktgjykimit të saj, Apeli thekson se dënimet e shqiptuara ndaj të akuzuarve do të ndikojnë në rehabilitimin e tyre dhe se me këto dënime do të arrihet qëllimi i dënimit, i paraparë me dispozitat e nenit 41 të KPRK-së, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, Aktakuza kundër Lushtakut, Gashit dhe Shalës dhe të tjerëve ishte ngritur pas një video të publikuar në media në fund të vitit 2017.

Kjo video kishte të bënte me festën që Limaj kishte organizuar në Malishevë pasi Gjykata Themelore në Prishtinë kishte nxjerrë aktgjykim lirues ndaj tij në rastin e njohur si “MTPT”.

Në këtë video shihej Lushtaku, Gashi dhe Shala duke shtënë me armë nga dritarja e odës ku mbahej festa.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 16 maj 2018, të pandehurit Dardan Gashi, Endrit Shala, Sami Lushtaku, Behar Amerllahu, Fadil Demiri akuzohen se secili prej tyre ka kryer veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve “ nga neni 374 par.1 të KPRK-së.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Dardan Gashi akuzohet se deri më 30 nëntor 2017 në fshatin Banjë të Malishevës, në një aheng familjar, pa autorizim ka mbajtur armë e municione në kundërshtim me nenin 4 par.1 nën par. 1,2 dhe 1,3 e lidhur me nenin 17 par.1 të ligjit për armë të Republikës së Kosovës dhe të  cilat armë me ligj kategorizohen si armë zjarri të ndaluara.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i akuzuari Gashi gjatë ahengut kishte hapur dritaren e odës dhe me armë me gaz të llojit “GAP” kal. 9 mm dhe një karikator, të pranuar nga i akuzuari Fadil Demiri, kishte shtënë në ajër disa herë dhe një armë e tillë ishte sekuestruar dhe e njëjta gjendet në Stacionin Policor në Malishevë.

Për këto veprime, prokuroria e ngarkon të akuzuarin Gashi se ka kryer veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374 par.1 të KPRK-së.

Ndërsa, të akuzuarin Endrit Shala, prokuroria e ngarkon se deri më 30 nëntor 2017 në fshatin Banjë të Malishevës, në një aheng familjar, pa autorizim ka mbajtur armë e municion në kundërshtim me nenin 4 par.1 nën par. 1,2 dhe 1,3 e lidhur me nenin 17 par.1 të ligjit për armë të Republikës së Kosovës, e të cilat armë me ligj kategorizohen si armë zjarri të ndaluara.

Gjithnjë sipas prokurorisë, i akuzuari Shala akuzohet se gjatë ahengut familjar, pasi i ishte hapur dritarja e odës nga Durim Limaj, me armë gjysmë automatike të pranuar nga i akuzuari Sherif Kastrati, ka shtënë në ajër disa herë. Kjo armë pastaj ishte sekuestruar dhe e njëjta gjendet në Stacionin Policor në Malishevë.

Me këtë rast, sipas aktakuzës, Endrit Shala ka kryer veprën penale “mbajtja ne pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, në vazhdimësi, nga neni 374, par. 1 lidhur me nenin 81 të KPRK – së.

Prokuroria e ngarkon Sami Lushtakun me veprën penale “mbajtja ne pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 374, par. 1 i KPRK – së.

Kjo sepse, sipas prokurorisë, më 30 nëntor 2017 në fshatin Banjë të Malishevës, në një aheng familjar, pa autorizim ka mbajtur armë e municione në kundërshtim me nenin 4 par.1 nën par. 1,2 dhe 1,3 e lidhur me nenin 17 par.1 të ligjit për armë të Republikës së Kosovës dhe e cila armë me ligj kategorizohet si armë zjarri e ndaluar.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Lushtaku, gjatë ahengut familjar, e hap dritaren e odës dhe me armë me gaz, të pranuar nga i akuzuari Behar Amerllahu shtien në ajër disa herë. Kjo armë dhe karikatori janë sekuestruar dhe gjenden në Stacionin Policor në Malishevë.

Me aktakuzë akuzohet edhe Behar Amerllahu, se më 30 nëntor 2017 në fshatin Banjë të Malishevës, në një aheng familjar, pa autorizim ka mbajtur armë e municione në kundërshtim me nenin 4 par.1 nën par. 1,2 dhe 1,3 e lidhur me nenin 17 par.1 të ligjit për armë të Republikës së Kosovës dhe e cila armë me ligj kategorizohet si armë zjarri e ndaluar. Arma me karikator është sekuestruar dhe e njëjta gjendet në Stacionin Policor në Malishevë.

Aktakuza e ngarkon Behar Amerllahun, me veprën penale “mbajtja ne pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 374, par. 1 i KPRK – së.

Sipas prokurorisë, Fadil Demiri, më 30 nëntor 2017 në fshatin Banjë të Malishevës, në një aheng familjar, pa autorizim ka mbajtur armë e municione në kundërshtim me nenin 4 par.1 nën par. 1,2 dhe 1,3 e lidhur me nenin 17 par.1 të ligjit për armë të Republikës së Kosovës. Kjo armë me ligj kategorizohet si armë zjarri e ndaluar, andaj dhe arma me karikator është sekuestruar dhe e njëjta gjendet në Stacionin Policor në Malishevë.

Me këtë, sipas aktakuzës, Fadil Demiri, ka kryer veprën penale “mbajtja ne pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 374, par. 1 i KPRK – së.

Prokuroria njësoj e akuzon edhe Sherif Kastratin, për të cilin në aktakuzë thuhet se më 30 nëntor 2017 në fshatin Banjë të Malishevës, në një aheng familjar, pa autorizim ka mbajtur armë e municione në kundërshtim me nenin 4 par.1 nën par. 1,2 dhe 1,3 e lidhur me nenin 17 par.1 të ligjit për armë të Republikës së Kosovës dhe e  cila armë me ligj kategorizohet si armë zjarri e ndaluar.

Sipas aktakuzës, gjatë ahengut familjar, arma është përdorë nga i akuzuari Endrit Shala, duke shtënë në ajër. Ndërsa, pas publikimit të video-incizimit nga mediumi KTV, emisioni Interaktiv, arma është gjetur me një karikator dhe e njëjta është sekuestruar, e tani gjendet në Stacionin Policor në Malishevë. /Betimipërdrejtësi