Apeli vërteton aktgjykimin e Themelores në rastin e ish-kryetarit dhe nënkryetarit të Klinës

Apeli vërteton aktgjykimin e Themelores në rastin e ish-kryetarit dhe nënkryetarit të Klinës

Gjykata e Apelit të Kosovës ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Pejë në rastin e ish-kryetarit të Klinës, Sokol Bashota dhe ish-nënkryetarit të kësaj komune, Enver Berisha.

Bashota dhe Berisha janë shpallur fajtor nga Gjykata Themelore në Pejë për shkak të veprave penale mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve tjera financiare. Të dy janë dënuar me nga gjashtë muaj burgim, të cilat dënime nuk do të ekzekutohen, nëse të akuzuarit në afatin prej 1 viti, nuk kryejnë vepra tjera penale.

Gjithashtu, ndaj të akuzuarve në fjalë, janë shqiptuar edhe dënime me gjobë, në shumë prej nga një mijë e 200 euro të cilat dënime, të akuzuarit do t’i paguajnë në afat prej 15 ditëve, nga dita kur ky aktgjykim të bëhet i formës së prerë.

“Kolegji i gjyqtarëve i Gjykatës së Apelit të Kosovës ka konstatuar se gjykata e shkallës së parë drejtë ka vepruar kur të akuzuarit i ka shpallur fajtor për shkak të veprave penale të lartcekura, ndërsa aktgjykimi i ankimuar nuk është përfshirë në asnjë shkelje ligjore”, thuhet në njoftimin për media të Apelit./Insajderi.com