Apeli vërteton lirimin e Adem Grabovcit dhe Sadat Gashit në rastin “Pronto”, dënohet Ilhami Gashi

Apeli vërteton lirimin e Adem Grabovcit dhe Sadat Gashit në rastin “Pronto”, dënohet Ilhami Gashi

Gjykata e Apelit ka vendosur që të aprovojë pjesërisht ankesën e Prokurorisë Speciale të Kosovës në rastin “Pronto”, ndaj ish-deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci dhe Ilhami Gashit e Sadat Gashit.

Përmes njoftimit për media, Apeli ka njoftuar se e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e PSRK-së ndaj Grabovcit dhe Sadat Gashit, kurse ka ndryshuar pjesërisht aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë ndaj Ilhami Gashit.

Apeli e ka vërtetuar aktgjykimin e gjykatës shkallës së parë ndaj Grabovcit dhe Sadat Gashit, sipas të cilës, më 2 mars 2020, i kishte liruar ata nga akuzat, por që për këtë PSRK kishte bërë ankesë në Gjykatën e Apelit.

Ata kishin kërkuar nga Gjykata e Apelit që të refuzohet ankesa e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe të lirohen nga akuzat.

Ndërsa, Apeli e ka dënuar Ilhami Gashin në kohëzgjatje prej një vit e katër muajsh, për dy pika të aktakuzës për veprën penale “shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës”.

Por, ndaj tij është shqiptuar dënim unik, i cili nuk do të ekzekutohet nëse i akuzuari nuk kryen ndonjë vepër tjetër penale brenda dy viteve.

Po ashtu, ndaj tij është shqiptuar dënimi plotësuses, ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike apo shërbim public në kohëzgjatje prej dy vitesh.

Ndryshe, në prill të vitit 2021, Gjykata Supreme e ka prishur aktgjykimin e Gjykatës së Apelit të 30 qershorit 2020 dhe të Supremes, të 29 shtatorit 2020, për pjesën dënuese në rastin “Pronto”, ku ka anuluar dënimet e shqiptuara ndaj Adem Grabovcit, Ilhami Gashit dhe Sadat Gashit.

Ky vendim kishte ardhur pasi që mbrojtësit e të akuzuarve ii shin drejtuar Supremes me kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë.

Kurse, rasti kishte shkuar në Gjykatë Supreme edhe me ankesën e Prokurorisë Speciale dhe të mbrojtësve të të akuzuarve.

Më 3 janar të këtij viti, Gjykata Themelore kishte shpallur aktgjykim lirues ndaj 11 të akuzuarve, prej të cilëve ish-deputetët e PDK-së, Adem Grabovci dhe Zenun Pajaziti si dhe ish-ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqa, në rastin e njohur si “Pronto”.

Ata ishin shpallur të pafajshëm për veprën penale “shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës në bashkëkryerje”.

Sipas aktakuzës, ata dyshohet se kanë keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare duke bashkëpunuar në mes vete për dhënien e privilegjeve dhe përparësive kundërligjshme personave të cilët kanë konkurruar në funksione të rëndësishme, siç janë: drejtor për Ndërmarrjet publike qendrore, Kryeshef Ekzekutiv i Agjencisë së Regjistrimit në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Kryeshef i Agjencisë për produkte medicinale dhe Koordinator i Qendrës së Regjistrimit Civil në Komunën e Klinës, duke mohuar dhe kufizuar liritë dhe të drejtat e kandidatëve të tjerë, të garantuara me ligj, raporton Betimi për Drejtësi.

Në aktakuzë është trajtuar çështja penale e punësimeve dhe ndarjes së posteve, të bazuara në përkatësinë partiake dhe raporte personale, për të cilin problem për një kohë të gjatë alarmojnë qytetarët e Kosovës, Agjencitë për zbatimin e ligjit si dhe mediat dhe shoqëria civile.Ky rast ishte publikuar nga mediat publike, duke zbuluar veprimet dhe metodat e punësimit brenda grupeve të ngushta interesi, në bazë të së cilës është nisur hetimi i prokurorisë, i cili rezultoi me ngritjen e aktakuzës.

Kjo vepër për të cilën akuzohen këta zyrtarë dhe ish-zyrtarë, sipas nenit 193, paragrafit 4 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, është e dënueshme prej 6 muaj deri në 5 vjet burgim. Protagonisti kryesor i asaj që është quajtur si “Afera Pronto”, ka qenë ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Adem Grabovci.

Në vitin 2011, për herë të parë ishin publikuar në media bisedat nga disa përgjime të EULEX-it, e ku Grabovci dëgjohej duke biseduar ndër të tjerash edhe me presidentin aktual Hashim Thaçin, kryeparlamentarin Kadri Veseli dhe persona të tjerë të politikës, kryesisht të PDK-së.

Grabovci në atë kohë ishte duke u hetuar nga ana e EULEX-it për vepra korruptive në cilësinë e zëvendësministrit të Ministrisë së Transportit dhe Telekomunikacionit, mirëpo këto hetime ndaj tij ishin mbyllur në mungesë të provave.

Në këto përgjime që përfshijnë një periudhë prej dy muajve, nëntor – dhjetor 2011, Grabovci dhe bashkëbiseduesit e tij, mes të cilëve edhe ministri aktual Besim Beqaj, deputeti i PDK-së, Zenun Pajaziti dhe disa persona tjerë, dëgjohen duke diskuar punësimet e personave të afërt me PDK-në në institucione të ndryshme si anëtarë bordesh, drejtorë ndërmarrjesh e agjencish të pavarura./Insajderi.com