Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës (APKE), në seancën e fundit dimërore, e mbajtur me prani fizike dhe video debat e miratoi raportin e përgjithshëm për monitorimin e angazhimeve të vendeve anëtare të Këshillit të Evropës, njofton Insajderi.
Në pjesën kushtuar Maqedonisë së Veriut, raportuesi Mikael Astrup Jensen thekson se proceset e integrimit evropian të vendit janë ndërprerë sepse Bullgaria po bllokon miratimin e kornizës negociuese, për shkak të përdorimit të gjuhës maqedonase në negociata.
Raporti i fundit i APKE-së për dialogun pos-monitorimit me Maqedoninë e Veriut ishte në tetor të vitit 2019, kur miratoi Rezolutën 2304.
Ndërkohë, siç informon raportuesi, i dërguari danez Mikael Astrup Jensen: “Procesi i integrimit evropian të vendit u shënua me një vendim nga BE-ja më 26 mars të vitit 2020 për fillimin e negociatave inkuadruese me Maqedoninë e Veriut (dhe Shqipërinë) – vendim që ky vend ka pritur që nga viti 2009.
Por negociatat nuk mund të fillojnë ende, pasi Bullgaria bllokon vendimin nga Këshilli i Ministrave të BE-së për të miratuar kornizën negociuese për Maqedoninë e Veriut.
Siç shprehet Jensen, “Bullgaria kundërshton përdorimin e gjuhës maqedonase në negociata dhe ka qëndrime divergjente mbi historinë e tyre të përbashkët, pavarësisht nga nënshkrimi i Marrëveshjes së marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë me Maqedoninë e Veriut në vitin 2017.
”Në përgjithësi, sipas APKE-së, “funksionimi i institucioneve demokratike” në vendin fqinj është i volitshëm.
Parlamenti ishte në gjendje të sigurojë dialog politik konstruktiv dhe të kryejë funksionet e tij legjislative. Reformat e iniciuara në vitin 2019 vazhduan. /Insajderi.com