Aplikimi i teknologjive inovative në bujqësi, e nevojshme për zhvillimin e sektorit

Aplikimi i teknologjive inovative në bujqësi, e nevojshme për zhvillimin e sektorit

Ministrja e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Dijana Zivic, gjatë ditës priti në takim këshilltaren ekonomike në Ministrinë e Shtetit Shqiptar për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Alketa Knuti, e cila bashkë me z. Blerim Gjeladini, ekspert i tërheqjes së investimeve të huaja i prezantuan Ministres dhe bashkëpunëtorëve të saj projektin “Terra Holus”. Ky projekt sipas tyre ka për qëllim planifikimin efiçent të tokave bujqësore.

Gjatë diskutimit në këtë takim, ministrja Zivic me të pranishmit u dakorduan se janë pro çdo iniciative dhe projekti i cili do t’i shërbente zhvillimit dhe lehtësimit të procedurave për fermerët të cilët jetojnë në zonat rurale, me qëllim që atyre t’u krijohet një mjedis më stimulues. “Aplikimi i mjeteve dhe teknologjive të reja të informacionit, bazave të të dhënave dhe inovacioneve mendohet se çon në një konkurrencë më të madhe, menaxhim më të mirë dhe reduktim të ngarkesave administrative”, tha në takim Ministrja Zivic.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e projektit “Terra Holus” e njoftuan Ministren Zivic se projekti të cilin ata e prezantuan në këtë takim, është projekt i cili e zbaton teknologjinë më të fundit të saktë në bujqësi, si dhe digjitalizimin e fermave.