Apostolova e komenton vjedhjen e zyrtares së MAShT-it në Bruksel

Apostolova e komenton vjedhjen e zyrtares së MAShT-it në Bruksel

Shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova ka kërkuar që të bëhen reforma në arsim. Në mbledhjen e Komisionit parlamentar për arsim ajo ka paralajmëruar se në bashkëpunim me MAShT-in janë duke punuar në një program të ri që do ta përmirësojë gjendjen në arsim. Për këtë e ka ftuar Qeverinë që ta miratojë dhe mbështesë këtë dokument.

“Sistemi i arsimit duhet të nisë nga zero. Në fushën e arsimit deri tash kemi dhënë 34 milionë euro por ato nuk kanë prodhuar rezultat”, ka thënë ajo.

Ajo i ka porositur deputetët që të mendojnë mirë para se ta votojnë projektligjin për mësimdhënësit e viteve 90. Miratimi i këtij projektligji sipas saj, do të shtojë pakënaqësi tek kategoritë tjera.

Apostolova ka përmendur edhe rastin e fundit të një zyrtareje të MAShT-it e cila dyshohet se kishte vjedhur në Bruksel e që u suspendua nga ministri Shyqiri Bytyqi.

“Kohës së fundit ka pasur ca aksidente ku në Ministrinë e Arsimit ka zyrtarë që nuk e kanë ngritur shumë mirësjelljen morale. Besoj e dini për çka është fjala nuk do të përmendi emra. Të punosh në Ministrinë e Arsimit është përgjegjësi e lartë”, është shprehur Apostolova.

Gjatë javës së kaluar, ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, ka udhëhequr një delegacion të MAShT-it që ka marrë pjesë në takimin e 7-të ministror në kuadër të Platformës së Ballkanit Perëndimor për Arsim, Trajnim, Hulumtim dhe Inovacion.

Një zyrtare e lartë e MAShT-it, për një moment gjatë vizitës është ndarë nga pjesa tjetër e delegacionit, raporton KTV.

Pasi që është vonuar, delegacioni është alarmuar dhe ka nisur ta kërkojë.

Kjo zyrtare në këtë kohë kishte shkuar për të bërë shopping. Në njërin prej dyqaneve në qendër të Brukselit, ajo është kapur duke vjedhur.