Një ditë pas raportimit të Gazetës Insajderi se Arben Gjukaj – drejtor menaxhues i KEK-ut, me dokument të falsifikuar synonte të bëhej pjesë e stafit akademik të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike (FIM) në Universitetin e Prishtinës, ai sot ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me një fakultet tjetër të UP-së.
Gjukaj, si drejtor menaxhues i KEK-ut, ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me dekanin e Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, Enver Hamiti. Këtë marrëveshje e kanë cilësuar si vazhdim të traditës.
“Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), vazhdon traditën e bashkëpunimit afatgjatë të vendosur tash e disa vite më Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike të UP-së (FIEK), për aftësimin e inxhinierëve të ardhshëm”, thuhet në njoftimin e KEK-ut.
Synimi i këtij bashkëpunimi thuhet të jetë ngritja e kapaciteteve profesionale dhe përgatitja e stafit akademik, të kuadrit të lëmisë së inxhinierisë elektrike, për përmbushjen e nevojave afatmesme, jo vetëm në KEK, por edhe në tregun e përgjithshëm të punës në Kosovë.
Sipas kësaj marrëveshje, studentet e nivelit të lartë të studimeve në FIEK do të zhvillojnë punën praktike profesionale në stabilimentet dhe pajisjet e KEK-ut.
“Studentët nën mbikëqyrjen e vazhdueshme profesionale të personelit të specializuar të KEK-ut do të kalojnë një program të avancuar të punës praktike profesionale që është dizajnuar sipas kurrikulës akademike me 6 ETCS kredi dhe ka një kohëzgjatje prej së paku 120 orëve të punës’, vazhdon njoftimi.
Në përfundim të këtij programi, studentët do të bëjnë një prezantim publik të programit të tyre të punës dhe të njohurive të marra para komisionit të nivelit akademik – profesional i cili do të shërbejë edhe si bazë e vlerësimit akademik.
Për më tepër, drejtori menaxhues i KEK-ut, Arben Gjukaj, ka dorëzuar me duart e veta një dokument, përmbajtja e të cilit ka elemente të veprës penale të falsifikimit.
Gjukaj ka arritur në fund të vitit të kaluar ta nxjerrë një vërtetim se ndaj tij nuk ka ndonjë procedurë penale.
Dëshminë se është i “pastër” e ka nxjerrë në gjykatën që po e gjykon atë për shpërdorim të detyrës zyrtare. Përmbajtja e këtij dokumenti është e rrejshme.
Gjukaj është në një proces gjyqësor së bashku me Sami Lushtakun dhe zyrtarë tjerë të KEK-ut për një tender të dyshimtë në vlerë prej 6 milionë euro./Insajderi.com