Arben Shabani – qytetari që ndihmoi Policinë të shpëtojë 3 të aksidentuar që ranë në lum (Pamje)

Arben Shabani – qytetari që ndihmoi Policinë të shpëtojë 3 të aksidentuar që ranë në lum (Pamje)

Tre persona janë shpëtuar nga Policia e Kosovës dhe një qytetar, derisa ishi duke u fundosur me veturë në lumin “Morava”, pas një vetë-aksidenti të ndodhur gjatë ditës së djeshme në Gjilan.

Kështu ka bërë të ditur për Gazetën Online Insajderi, zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani, i cili tha se personat e nxjerrë nga automjeti që ka rënë në lum, janë dërguar për trajtim mjekësor në Spitalin e Gjilanit, kurse një grua – shtetase e Shqipërisë, ka mbetur e vdekur.

Qytetari i cili ndihmoi në shpëtimin e këtyre personave është Arben Shabani, derisa policia e ka falënderuar për aktin e tij, i cili rrezikoi jetën për t’i shpëtuar të aksidentuarit.

“Në përpjekje për t’i shpëtuar të aksidentuarit, që kishin rënë me automjet në lumin e “Moravës së Binçës” policët së bashku me një qytetar nga Uglari kanë hy në lum dhe kanë arritur të shpëtojnë tre të aksidentuarit që ishin ngujuar dhe fundosur, nga automjeti i përmbysur në këtë lum”, thotë Hashani.

“Me këtë akt, policia dhe qytetari i kanë nxjerrur të gjallë tre të askidentuarit dhe i ka dërguar menjëherë në spitalin e Gjilanit për trajntim mjekësor, ndërsa si pasojë e këtij aksidenti, ka mbetur e vdekur pasagjerja, shtetase e Shqipërisë. Policia me këtë rast falenderon gjestin human dhe shembullor të qytetarit Arben Shabani, i cili rrezikoi jetën e tij për ti shpëtuar të askidentuarit”, thuhet në njoftimin e policisë.

Më poshtë gjeni pamjet nga vendi i ngjarjes. /Insajderi.com