Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka njoftuar për dorëheqjen e tij nga pozita që mban, njofton Insajderi.com.
Ai lirimin nga detyra e ministrit e njoftoi në një konferencë për media, dorëheqje kjo që vjen për të filluar fushatën si kandidat për kryetar të Prishtinës, nga Lëvizja Vetëvendosje.
“Më lejoni në fund të ju njoftoj edhe me një vendim që kam marrë në bashkërendim me Ministrin Kurti dhe Lëvizjen Vetëvendosje. Unë sot po e përmbyll këtë detyrë me të cilën më ka ngarkuar kryeministri Kurti që do t’i jem mirënjohës jo vetëm për besimin por edhe për mbështetjen”.
“I nderuar nga bashkëpunimi me të gjithë, jam thellë i prekur nga solidariteti nga ana e qytetarëve të Republikës që treguan kulturë për të mbrojtur shëndetin publik”.
“Unë po ja transferoj përgjegjësinë stafit të ministrisë, zëvendësministres Dafina Gexha me bindjen e plotë se puna e mirë do të vazhdojë. Unë nga tani e tutje do të jem pjesë e një ekipi tjetër që ka në fokus kryeqytetin tonë”.
Vitia do të pasohet nga Dafina Gexha-Bunjaku, e cila është epidimiologe. Ajo deri tani ka mbajtur pozitën e zëvendësministres.
Duke e quajtur detyrë me privilegj dhe përgjegjësi, Vitia shtoi se është “pasuria” më e madhe që ka përfituar nga besimi që iu dha si ministër.
Në këtë konferencë, Vitia ka paraqitur situatën gjatë drejtimit të dikasterit të shëndetësisë nga ai, përgjatë gjendjes me pandeminë me COVID-19.
“Jam i lumtur që para jush duke u bazuar mbi raportime të Institutit them se vala e katërt nga varianti delta për momentin është vënë nën kontroll. Duke ditur që varianti ka qenë ndër më të transmetueshmit, akoma nuk mund të flasim për relaksim”.
“Vala delta si më e rënda ka shkaktuar pasoja të rënda në botë. Kosova ditëve të fundit është bë me numrin më të ulët të infektuarve në rajon. Sot jemi ndër pesë shtetet me më së paku raste të reja në Evropë”, tha ai.
Ai tregoi edhe anën pozitive të punës së bërë deri më sot si ministër i Shëndetësisë, duke filluar nga ngritja e kapaciteteve njerëzore “me rekrutimin e një mijë e 450 profesiontë shëndetësorë”.
Ai më tej tha se kanë vu në dispozicion 1200 shtretër për të rritur kapacitetet.
Duke vazhduar me sigurimin e më shumë se 1 milionë vaksinave, miratimin e planit për vaksinimin në masë, hapjen e qendrave të vaksinimit, e miratimi i pakos së 15 ligjeve që lidhen me shëndetësi.
Vitia shtoi se në stok aktualisht kanë rreth 400 mijë vaksina dhe se deri në fund të vitit do të arrijnë edhe rreth 500 mijë doza.
“Me këtë sasi dhe trend aktual të vaksinimit do të vaksinohen mbi 75 për qind e popullatës, rrjedhimisht popullata mbi moshën 16 vjeçare”, tha ai, duke u bërë thirrje qytetarëve të vazhdojnë me këtë trend të vaksinimit.
Ministri deritashëm i Shëndetësisë gjithashtu njoftoi se janë në negociata edhe për dozën e tretë. /Insajderi.com