“Argument fals” – Mospajtime në Speciale rreth nisjes së çështjes ndaj Salih Mustafës

“Argument fals” – Mospajtime në Speciale rreth nisjes së çështjes ndaj Salih Mustafës

Avokati mbrojtës i ish-eprorit të UÇK-së, Salih Mustafa, Julius Von Bone, ka deklaruar se Prokuroria ka pasur vite për të kryer punën e vetë, ndërsa mbrojtja nuk janë në gjendje të paraqesin çështjen në një periudhë disa mujore, transmeton Insajderi.

Ai thotë se nuk ka një datë të përcaktuar se kur do të duhej të fillojë gjykimi ndaj Mustafës, por që ky gjykim duhet të fillojë pasi mbrojtja të përfundojë hetimet e veta – dikur rreth muajit korrik.

“Për sa i përket momentit se kur duhet të fillojë gjykimi, nuk e kam një datë të përcaktuar në mendje dhe mendoj që gjykimi të fillojë pasi mbrojtja të përfundojë hetimet e veta, diku nga korriku në atë periudhë kohore”, thotë Von Bone.

Për këtë deklaratë ka marrë reagime nga ana e prokurorisë, të cilët thonë se nuk duhet të bëjë një krahasim të tillë meqë punët i kanë të ndryshme.

Madje njëri nga prokurorët derisa deklarohet pas mbrojtjes së Mustafës, thotë se çfarë përmend avokati është një “argument fals”.

“Mendoj që ky është një argument fals, ne duhet ta vërtetojmë një cështje përtej dyshimit të arsyeshëm. Mbrojtja e ka cështjen ndryshe – e ka një aktakuzë të caktuar dhe nxjerrë materiale. Pra nuk mund të maten në mënyrë të njëjtë dhe të krahasohen”, thotë ai.

I gjithë ky diskutim nisi kur gjykatësi Nicolas Guillou e pyeti avokatin e Mustafës se sa kohë do t’i marrin hetimet mbrojtjes. Avokati holandez tha se nuk pret që t’i përfundojë hetimet para gushtit.

“Para gushtit do t’i kemi përfunduar, sepse nuk bëhet fjalë vetëm për intervistimin e dëshmitarëve, por edhe raporte, konstatime, vëzhgime, të cilat duam t’i paraqesim”, tha ai.

“Do të ketë dëshmitarë. Pres që t’i përfundojmë intervistat me këta dëshmitarë brenda afërsisht dy muajsh”, tha ai paraprakisht.

Lidhur me masat mbrojtëse për këta dëshmitarë, avokati tha se tani nuk e di nëse ato do të jenë të nevojshme.

“Nuk jam i sigurt nëse do të jetë e nevojshme të kërkojmë masa mbrojtëse apo jo. Nuk e parashikoj dot, por kur të ndodh kjo gjë, sigurisht do t’u drejtohem për t’i kërkuar këto masa nëse nevojiten për këta dëshmitarë”, tha Von Bone. /Insajderi.com