
Gazetari Arjan Çani mendon se shqiptarëve u është dhënë shumë lehtë dhe pa asnjë sakrifica e drejta e shenjtë e votës.
Çani theksoi se kur në Shqipëri të ketë të vrarë për të drejtën e votës, atëherë vendi do të ketë shpëtuar.
“Kur në këtë vend do të vijë dita që do të ketë të vrarë për të drejtën e votës, atëherë ky vend do të ketë shpëtuar. Kur them të vrarë flas për njerëz që ngrihen në protestë për të arritur këtë kauzë që është e drejtë. Ju mendoni që mund t’i fitoni këto të drejta dhe këto liri pa sakrifica?”, u shpreh Çani në Open në Top Channel.
Arjan Çani u kujdes të sqarojë dhe të bëjë ndarjen midis krimeve elektorale, ku në Shqipëri ka patur edhe të vrarë, dhe revolucioneve që bëhen dhe nevojiten për të siguruar të drejtën e votës.
Çanit tha se është e pavlerë të diskutohet për tërheqjen e komisionerëve të KiE, pasi gjërat në Shqipëri janë bërë mullar.
“Mendimi im është ky, që këtu është bërë gjëja aq shumë mullar dhe kjo është gjëja më kot, që s’erdhi Këshilli i Evropës”, tha ai.
Dhe sipas Çanit, mullari është ky: “Që kemi një datë, ku njëra palë thotë do shkojmë do bëjmë zgjedhje, pala tjetër thotë këto janë votime. Këtu fillon në njëfarë mënyre konflikti i 10 viteve të ardhshme. Hyjmë në një epokë të re 2020-2030”.