“S’e the asnjë fjalë”

Arifi, Hotit: Ndjehemi të harruar dhe anashkaluar – As një fjalë në platformën negociuese me Serbinë nuk e ke për Luginën

Shqipërim Arifi është shprehur i zemëruar me Avdullah Hotin. Për kryetarin e Preshevës është zhgënjyese se si kryeministri i Kosovës po harron shqiptarët e Luginës.

Arifi, Hotit: Ndjehemi të harruar dhe anashkaluar – As një fjalë në platformën negociuese me Serbinë nuk e ke për Luginën

Kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi, i ka reaguar kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hotit, duke i thënë se në platformën e tij negociuese me Serbinë në Bruksel, ai askund nuk po i përmend shqiptarët e Luginës, njofton Insajderi.

Arifi shkruan në Facebook se ai personalisht, por edhe gjithë shqiptarët e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit, ndjehen të anashkaluar nga qasja e qeverisë Hoti.

“Në paraqitjen tuaj në Parlament, ku qartësuat përceptimin dhe platformën tuaj për negociatat në fazën finale me Beogradin, thatë se nuk ka nevojë askush të ndjehet i trazuar dhe i anashkaluar. Jam unë pra, ai që ndjehem i trazuar dhe jam unë ai që tani ndjehem i anashkaluar”, ka shkruar Arifi.

Ai i ka lëvduar disa pika të platformës së Hotit, por kur vije puna tek shqiptarët e Luginës ka pohuar se “ndjehemi prapë të harruar dhe edhe me shumë të anashkaluar, për arsye se as edhe një fjalë nuk e dëgjuam në platformën tuaj politike për marrëveshjen përfundimtare në Bruksel me Beogradin, për shqiptarët  e Luginës së Preshevës. As edhe një fjalë”.

“Në qoftë se Shqiptarët e Luginës së Preshevës nuk janë të përfshirë në këtë  marrëveshje ‘gjithëpërfshirëse’, atëherë ju në mënyrë të drejtpërdrejtë po anashkaloni Luginën e Preshevës”.

Arifi i ka kërkuar Hotit që ta bëjë të qartë të paktën një gjë: “A do t’i anashkaloni (shqiptarët e Luginës) apo a do t’i integroni në marrëveshjen përfundimtare me Beogradin?”.

Sipas Arifit nëse nuk i mbron shqiptarët në Serbi qeveria e Kosovës atëherë kush pritet ta bëjë këtë – “presidenti Vuçiq?”, ka pyetur Arifi retorikisht.

“Ne kërkojmë nga ju, pasi që po e vendosni platformën tuaj politike për negociatat dhe marrëveshjen përfundimtare me Republikën e Serbisë, ta përfshini brenda platformës tuaj edhe Luginën e Preshevës dhe të i sqaroni në tryezë në Bruksel, problematikat tona që janë prezente me dekada të tëra”.

Ndryshe, ka shkruar Arifi, Lugina rrezikon të “asimilohet totalisht dhe të krijohet “Çamëria e dytë”.

“Me këtë po na largoni nga projekti kombëtar i Republikës së Kosovës përfundimisht! Me këtë Kosova Lindore zyrtarisht më nuk ekziston. Me këtë na lini nën mëshirën e Serbisë. Me këtë po thyeni 100 vjet politikëbërje kombëtare”.

“Kryeministër do të mbani përgjegjësinë politike, morale dhe kombëtare bashkë me të gjithë ata që ju mbështesin në këtë rrugë të negociatave në Bruksel”, përfundon Arifi./Insajderi.com