Arifi kërkon nga Kurti përfshirjen e Preshevës në dialog

Arifi kërkon nga Kurti përfshirjen e Preshevës në dialog

Kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, ka kërkuar nga Qeveria e re e Kosovës që ta përfshijë Luginën e Preshevës në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, njofton Insajderi.

Arifi thotë se një gjë e tillë është e domosdoshme dhe se pret që “Qeveria Kurti 2” ta bëjë një gjë të tillë.

“Pjesëmarrja e Luginës së Preshevës në dialog është e domosdoshme. Unë pres prej Qeverisë Kurti 2 që ne te jemi pjesëmarrës në këtë dialog. Për neve nuk është me rëndësi në cilin rang të listës së prioriteteve është, me rëndësi është të jemi në dialog. Për Luginën e Preshevës, dialogu ësahtë me rëndësi, sepse të rinjtë dhe të rejat tona të cilat studiojnë në Kosovë dhe dëshirojnë të punësohen në Komunën e Preshevës, është e pamundur, sepse nuk pranohen diplomat”, ka thënë Arifi, duke insistuar që të mos ketë shkëmbime të territoreve.

“Ne të bashkangjitemi në bazë të referendumit të Republikës së Kosovës, por me disa kushte. Dhe aty kemi qenë në një vijë me Albinin. Kushti numër 1 është që të mos ketë shkëmbim territoresh. Kushti numër 2 është që ndryshimi i kufijve të mos nënkuptojë parcializimin e Luginës. Dhe mbështetja ndërkombëtare që është kushti numër 3”, thekson Arifi për KP.

Arifi ka thënë se pret që të jetësohet Fondi Kombëtar i Solidaritetit.

“Paralelisht të forcohet Lugina e Preshevës. Unë pres prej Qeverisë Kurti 2 që të jetësoj, jo vetëm në letër, por edhe në praktikë Fondin Kombëtar të Solidaritet, fond i cili përfshin Komunën e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës. Një fond i cili ka minimum pesë milionë euro, dhe i cili i prek të gjitha sferat e jetës të shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Që me mbet kjo luginë gjallë dhe të mbes një luginë që jep perspektive dhe të mos shndërrohet në një Çamëri të dytë. Fondi Kombëtar është obligim politik të Qeverisë Kurti 2”, deklaron ai. /Insajderi.com