ARKEP: Ndërpritet zyrtarisht operimi ilegal i operatorëve të telefonisë në veri

ARKEP: Ndërpritet zyrtarisht operimi ilegal i operatorëve të telefonisë në veri

Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) ka njoftuar se zyrtarisht nga e hëna janë ndërprerë të gjitha shërbimet e operatorëve të telefonisë mobile “Telenor” dhe “ViP mobile”, të cilët që nga pas lufta kanë vepruar në mënyrë të pa autorizuar në Kosovë.

“Siç është bërë publike më herët, afati përfundimtar i caktuar nga ARKEP për ndërprerjen e të gjitha aktiviteteve nga operatorët në fjalë ka qenë data 01 Maj 2017”, thuhet në njoftim.

ARKEP thotë se sot gjatë ditës ekipi i ekspertëve të Radio Monitorimit nga ARKEP ka realizuar matje në pjesë të ndryshme të territorit të Kosovës, respektivisht hapsirave ku më herët kanë pasur mbulueshmëri operatorët “Telenor” dhe “ViP mobile” dhe është konstatuar se janë ndërprerë shërbimet e tyre.

“Njëherit, me qëllim të ofrimit të shërbimeve sa më cilësore dhe plotësimin e nevojave për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, ARKEP udhëzon dhe mbështet operatorët Telekomi i Kosovës dhe IPKO që të rrisin mbulueshmërinë edhe në pjesën veriore të vendit”, thuhet në mej në njoftim. /Insajderi.com