Arratiset pronari i kompanisë së mishit që kërcënoi me vrasje ekipin e Insajderit

Arratiset pronari i kompanisë së mishit që kërcënoi me vrasje ekipin e Insajderit

Pronari i kompanisë importuese të mishit “Euro IDA”, Anton Jupa është arratisur nga Kosova, ka njoftuar Prokuroria Themelore e Prizrenit.

Prokuroria Themelore e Prizrenit, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka bastisur lokalin e kompanisë “Euro IDA” në Rahovec por nuk ka arritur ta arrestojë pronarin e kësaj kompanie, Anton Jupën.

“Pronari [Anton Jupa] ka ikur nga Kosova. Nuk e dimë vendndodhjen e tij, por ne kemi pasur plane për ta arrestuar”, ka thënë Kryeprokurori i Prizrenit, Admir Shala.

Prokuroria e Kosovës ka filluar hetimet ndaj dy kompanive: “Beni SHPK” me bazë në Suharekë dhe “Euro IDA” me bazë në Rahovec. Kryeprokurori Shala i ka thënë Insajderit se në kompaninë “Euro Ida” janë gjetur 1 mijë e 800 kilogram me afat të skaduar.

“Kemi konfiskuar 1 mijë e 800 kilogram mish me afat të skaduar. Mishi që kemi gjetur nuk vjen nga Belgjika”, ka thënë Shala.

Të hënën, Anton Jupa kërcënoi me vdekje gazetarët e Insajderit të hënën, pasi gazeta përmes një hulumtimi të publikuar më 14 mars gjeti se kompania e drejtuar prej tij kishte importuar mish nga kompania e dyshimtë belge “Veviba”.

Klikoni këtu për të parë videon e kërcënimeve:

https://video.gjirafa.com/insajderi?video=biznesmeni-kosovar-qe-importoi-mish-nga-kompania-e-dyshimte-belge-kercenon-gazetarin-e-insajderit

“Problemet serioze janë shumë! Shumë serioze! A me ditë qaj personi që u kon i pari, pasha natën e babës që ka dekë e ai ka bo vetëvrasje, (nuk kuptohet) s’ka me e myt, vetëm ka me e copëtu me sakicë, ka me coptu edhe me masakru. Maje në mend qa po thom unë”, kishte thënë Jupa, në një telefonatë në redaksinë e gazetës.

Drejtori i kompanisë “Euro Ida” ka pranuar se kishte importuar mish nga kompania belge në vitin 2016, ashtu siç kishte raportuar Insajderi në artikullin e publikuar më 14 mars.

Zbulohet emri i kompanisë kosovare që importoi mishin nga Belgjika

Insajderi kishte siguruar një dokument nga burime brenda Doganës së Kosovës, të cilat dëshmonin se kompania “Euro Ida” kishte importuar mish nga kompania e dyshimtë belge “Veviba”, në muajt maj dhe qershor të vitit 2016. /Insajderi.com