Arratisja nga QKUK, suspendohet ushtruesi i detyrës së drejtorit të Qendrës Korrektuese të Dubravës

Arratisja nga QKUK, suspendohet ushtruesi i detyrës së drejtorit të Qendrës Korrektuese të Dubravës

Ministria e Drejtësisë ka bërë të ditur se ka ndërmarrë të gjitha veprimet që të krijohet mundësia për hetim të pavarur rreth rastit të fundit të arratisjes nga QKUK-ja të një personi në vuajtje të dënimit në Qendrën Korrektuese të Dubravës.

“Ministria e Drejtësisë, përmes kësaj komunikate njofton qytetarët se, duke u bazuar në mandatin ligjor të saj, ka ndërmarrë masa të nevojshme për t’i dhënë mundësi hetimit të pavarur dhe të pandikuar në lidhje me rastin e fundit të arratisjes nga QKUK-ja, të një personi në vuajtje të dënimit në Qendrën Korrektuese të Dubravës”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë.

Kjo Ministri thotë se, duke shfrytëzuar mandatin ligjor, janë marrë masat për fillimin e hetimit të përgjithshëm si nga ana e policisë, inspektoratit të Ministrisë së Drejtësisë dhe komisionit hetues në nivel ministrie.

“Paralelisht me këtë, janë suspenduar nga puna deri në përfundimin e hetimeve, U.D e Drejtorit të Qendrës Korrektuese të Dubravës, si dhe dy oficerë përgjegjës për rastin”, thuhet në njoftim.

“Ministria e Drejtësisë është e vendosur që çdo parregullsi në fushën e drejtësisë dhe mekanizmave të saj të adresohet në përgjegjësi zyrtare dhe ligjore, në mënyrë që të rritet përkushtimi dhe efikasiteti i zbatimit të ligjit dhe të parandalohet çdo keqpërdorim i mundshëm gjatë ushtrimit të detyrës, pavarësisht rrethanave dhe arsyeve.”, përfundon njoftimi./Insajderi.com