Është aprovuar propozimi i Prokurorisë Themelore së Pejës për një muaj paraburgim shtëpiak ndaj kryetarit të Istogut, Haki Rugova.
Vendimi është marrë nga Gjykata Themelore në Pejë për Krime të rënda, ndërsa kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, të dielën kërkoi që kompetencat për rastin “Rugova” të barten tek Prokuroria Speciale.
Rugova po akuzohet për “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “falsifikim i dokumentit zyrtar”, njofton Insajderi.
Po ashtu në aksionin e së premtes është arrestuar edhe nenkryetari i Istogut, Lulzim Blakaj dhe për të pandehurin tjetër F.B, i dyshuar “se në bashkëkryerje me dy të lartpërmendurit kishte për të kryer veprën penale falsifikim i dokumentit zyrtar.
Gjykata për Krime të Rënda Ekonomike në Pejë ka lëshuar edhe komunikatën për seancën e sotme.
“Gjyqtarja e procedurës paraprake pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe pas analizimit të shkresave të lëndës ka vërtetuar se ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit H.R dhe L.B kanë kryer veprat penale për të cilat dyshohen nga ana e prokurorisë së shtetit, po ashtu ekzistojnë rrethanat që tregojnë rrezikun se me gjetjen e mundshme të pandehurve në liri mund të ndikojnë tek zyrtaret Komunalë, por edhe tek dëshmitarët e tjerë në drejtim te fshehjes dhe ndryshimit të provave materiale e me këtë të pengojnë rrjedhën normale të procedurës penale”.
“Gjithashtu, duke pas parasysh peshën e veprës penale, mënyrën dhe rrethanat në të cilat janë kryer veprat penale dhe duke pas parasysh pasojat e rënda që kanë këto vepra penale për shoqërinë, përhapjen e tyre në masë shqetësuese si dhe faktin se i pandehuri H.R edhe më parë ka qenë i njohur për organet e drejtësisë për vepër penale konflikt interesi, tregojnë rrezikun se me gjetjen e mundshme të të pandehurve ne liri, të njëjtit mund te përsërisin veprat penale apo të kryejnë ndonjë vepër të re penale.”, thuhet në komuniaktë. /Insajderi.com