Të tjerë pas Mustafës

Arrestime të tjera priten nga Specialja

Meqë jemi në fazën e konfirmimit të aktakuzave nga Gjykata Speciale, arrestime të tjera pritet të ndodhin nga ky institucion. Kështu thotë për Insajderi-n, Artan Qerkini, një nga avokatët e akredituar nga Specialja.

Arrestime të tjera priten nga Specialja

Pas publikimit të aktakuzës ndaj ish-ushtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, nga Gjykata Speciale në Hagë, pritet që ky institucion të vazhdojë me arrestime të tjera.

Një gjë të tillë nuk e ka mohuar as avokati i akredituar nga Specialja, Artan Qerkini, i cili në një përgjigje për Gazetën Online Insajderi thotë se arrestime të tilla mund të ndodhin gjatë kësaj kohe, meqë tashmë jemi në fazën e konfirmimit të aktakuzave.

“Hipotetikisht mund të ndodhin arrestime, sepse tashmë jemi në fazën e konfirmimit të aktakuzave”, ka thënë Qerkini.

I pyetur nëse mund të jetë edhe një pjesë tjetër e papublikuar e aktakuzës për Mustafën, pasi që është publikuar “Shtojca 2”, Qerkini thotë që beson se “ajo që është publikuar është versioni i përmbledhur i saj”.

I arrestuari i parë i Tribunalit të Hagës, Salih Mustafa, do të paraqitet para gjykatës këtë të hënë, më 28 shtator në orën 15:00.

Për paraqitjen e tij të parë informuan Dhomat e Specializuara, nga ku njoftojnë se kjo do të ndodhë në sallën e gjyqit të DHSK-së në Hagë.

Mustafa u arrestua nga Zyra e Prokurorit të Specializuar më 24 shtator dhe u transferua në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, po të njëjtën ditë.

Aktakuza e ngarkon Salih Mustafën me përgjegjësi penale individuale për “ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme”, që janë krime lufte sipas të drejtës ndërkombëtare. Aktakuza publike e redaktuar mund të lexohet KËTU.

Paraqitja e parë e Salih Mustafës do të mbahet në seancë publike e cila mund të përcillet virtualisht, me një vonesë të shkurtër në këtë vjegëz: https://www.scp-ks.org/sq/transmetim.

Ndonëse Mustafa është i pari që është arrestuar, nga kjo gjykatë pritet të konfirmohet apo të hidhet poshtë edhe aktakuza e përpiluar më 24 prill ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Po bëhen gati tre muaj që prej se Prokuroria e Specializuar e Hagës lëshoi komunikatën e famshme, përmes së cilës njofton për përpilimin e një aktakuze kundër presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, kreut të PDK-së, Kadri Veseli dhe disa personaliteteve tjera të UÇK-së, të cilëve nuk u janë publikuar emrat ende.

Bazuar në afatet ligjore të përcaktuara, Gjyqtari i Procedurës paraprake ka kohë deri më 24 tetor të marrë një vendim në lidhje me këtë aktakuzë. /Insajderi.com