Arrestimet për Specialen, Policia e Kosovës tregon nëse ka ndonjë kërkesë për arrestim Gjykata

Arrestimet për Specialen, Policia e Kosovës tregon nëse ka ndonjë kërkesë për arrestim Gjykata

Policia e Kosovës do të merret me arrestimin dhe sjelljen në Gjykatë Speciale të të kërkuarve nga këto Dhoma të Specializuara.Por nga Dhomat e Specializuara të Kosovës, Policia ende nuk kanë asnjë kërkesë për ndonjë arrestim të mundshëm që ka të bëjë me Specialen.

Drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, në një intervistë për Ekonomia Online, ka bërë të ditur ndër të tjera se nuk kanë aktualisht asnjë bashkëpunim me Gjykatën Speciale.

“Çështja e gjykatës është çështje në vete, ne e dimë që këtë gjykatë e ka votuar Parlamenti i Kosovës dhe edhe pse ajo vepron jashtë Kosovës konsiderohet si një gjykatë e Kosovës, normalisht që ne jemi polici e cila punon duke u bazuar në ligjet të cilat janë pranuar në Kuvendin e Kosovës. Momentalisht nuk kemi ndonjë kërkesë, nuk kemi ndonjë absolutisht ndonjë lloj bashkëpunimi me institucionet këtë rast të Gjykatës Speciale, mirëpo Policia e Kosovës është i vetmi organ zbatues i Ligjit në Kosovës dhe si i tillë do të mbetet”, tha Qalaj për Ekonomia Online.

Tensionet më të mëdha të vitit 2018 kanë qenë herë pas here në pjesën e veriore të vendi.Qalaj pohon se ato janë menaxhuar mirë nga Policia e Kosovës. Sipas tij, tensionet në Mitrovicën e veriut, janë kryesisht të orkestruara nga jashtë, por janë menaxhuar mirë nga Policia e Kosovës.

“Në veri sa herë që ka pasur tensione kanë qenë të ose të orkestruara nga jashtë, ose të ndikuara nga jashtë. Ju i dini edhe vizitat e pa paralajmëruara që kemi pasur dhe është dashur që të intervenojmë në mënyrë që ti tregojmë njerëzve që për të hyrë në Kosovë, duhet të merret leje përkatëse, këtë rast Ministrisë së Punëve të jashtme dhe çdo herë në i kemi zbatuar këto. Është duke funksionuar edhe ke probleme por është në përmirësim e sipër”, u shpreh Qalaj.

Fundi i vitit 2018 ishte tragjik për familjes Demaj nga Istogu dhe Policinë e Kosovës. Më 28 dhjetor gjatë një grabitje të një banke, gjatë konfrontimit me hajnin humbi jetën polici Izet Demaj.I pari i Policisë së Kosovës e cilëson një rast tejet të rëndë, vdekjen e kolegut në vendin e punës. Sipas tij, deri më tani janë 20 policë të cilët humbën jetën gjatë orarit zyrtarë të punës.

“Ne kemi 20 kolegë që kanë humbur jetën në krye të detyrës, disa prej tyre duke përfshirë edhe Izetin, janë të vrarë më armë të zjarrit mirëpo e ka edhe prej tyre që kanë humbur jetën si pasojë e aksidentit të trafikut, prapë gjithmonë duke e pasur parasysh në krye të detyrës zyrtare”, tha Qalaj për EO.Sigurimet shëndetësore dhe jetësore për policët e Kosovës, Qalaj i sheh tejet të domosdoshme për natyrën e punës që ka policia.Sipas tij, policët ballafaqohen me rrezik permanent gjatë punës.

“Çështja e sigurimeve shëndetësore dhe jetësore është duke u komentuar edhe më herët. Në vazhdimësi është bërë përpjekje që institucionet e Kosovës në këtë rast edhe Policia e Kosovës të ketë sigurim shëndetësorë, mirëpo është një situatë mjaft komplekse meqenëse ka implikime mjaftë të mëdha buxhetore dhe nuk mund që parcialisht të rregullohet për një institucion dhe për të tjerat jo. Unë them që për shkak të natyrës së punës, rrezikut permanent në të cilin ballafaqohen policët çdo ditë, është më se i domosdoshëm dhe i nevojshëm që të kemi sigurime”, tha Qalaj.

Duke komentuar grabitjet dhe tentim grabitjet që ndodhën kohëve të fundit në Kosovës, Qalaj thotë se është bërë angazhim shtesë i forcave policore, por sipas tij, këto raste janë më shpeshta gjatë fundit të vitit, në kohën e kremtimit të festave.

“Është edhe fund vit nuk është vetëm çështje e grabitjeve por janë edhe disa masa tjera që ne duhet ti marrim në mënyrë që mos ndodhë ndonjë incident serioz, mos të harrojmë që edhe pse Kosova është një shtet i sigurt sa i përket sulmeve territoriste, nuk është e përjashtuar edhe Kosova, ne duhet të jemi të përgatitur që ti krijojmë kushte qytetarëve tanë, bashkëvendësve tanë dhe të gjithë atyre që të festojnë në mënyrë të qetë dhe të sigurt. Normalisht kemi angazhuar edhe njësitë elite që të jenë në detyrë tërë kohën dhe do ti angazhojmë edhe njësitë tjera të inteligjencës edhe të vëzhgimit, në mënyrë që ti parandalojmë veprat që dëmtojnë shëndetin dhe pronën e qytetarëve”, u shpreh Qalaj.

Qalaj bëri të ditur se janë duke diskutuat çështjen e armatosjes së personave që ofrojnë siguri në kompanitë private, sipas tij, paraprakisht duhet të trajnojmë ata, dhe t’i certifikojmë ata.Vitin 2018, kreu i Policisë së Kosovës e cilëson si të suksesshëm për policinë.