Prokuroria: Personat e arrestuar i shkaktuan dëme Telekomit mbi 300 mijë euro

Prokuroria: Personat e arrestuar i shkaktuan dëme Telekomit mbi 300 mijë euro

15:56: Prokuroria: Personat e arrestuar i shkaktuan dëme Telekomit mbi 300 mijë euro

327,514 euro dëm i kanë shkaktuar Telekomit të Kosovës, katër personat e arrestuar të martën nga Policia e Kosovës, departamenti për krime ekonomike.

Atyre i është caktuar masa e paraburgimit për 48 orë.

Kështu njoftoi Prokuroria Themelore në Prishtinë.

“Personat me inicialet T.M., dhe A.O., dyshohen se kanë kryer veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414 të KPRK-së, “Përvetësimi në detyrë”, nga neni 418 të KPRK-së dhe “Falsifikimi i dokumentit zyrtar”, nga neni 427 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

“Ndërsa, personat me inicialet K.M., dhe D. Ć., dyshohen se të njëjtit kanë kryer veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve”, nga neni 390 të KPRK-së dhe “Mashtrimi”, nga neni 323 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, vazhdon Prokuroria.

Dy ish-drejtorët drejtonin departamentin e financave dhe marketingut.


13:24 Policia konfirmon arrestimet

Policia e Kosovës ka konfirmuar arrestimin dy ish-drejtorëve dhe dy ish-zyrtarëve të Telekomit të Kosovës.

Akuzohen për “keqpërdorim të detyrës zyrtare”.

“Sot me 30 mars 2021, Policia e Kosovës, me urdhëresë të Gjykatës kompetente ka realizuar një operacion policor, i cili ka rezultuar me arrestimin e katër personave të dyshuar, mbi dyshimin për keqpërdorim të pozitës zyrtare. Operacioni policor është realizuar në rajonin e Prishtinës, ku pas kompletimit të rastit do të jepen informacione shtesë”, thonë nga Policia.

Policia e Kosovës ka njoftuar se do të dalin me më shumë informacione për publikun.

 


13:17 Arrestohen edhe dy ish-zyrtarë të Telekomit

Në aksionin e Policisë së Kosovës përpos dy drejtorëve janë arrestuar edhe dy zyrtarë të kësaj kompanie.

Drejtoria e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Policinë e Kosovë, të martën arrestoi katër persona.

Dyshohen për “keqpërdorim të detyrës publike”.

Burime të Insajderi-it thonë se ish-zyrtarët kanë iniciale D.C dhe K.M.

 


⌚  13:01  Arrestohen dy ish-drejtorë të Telekomit

Janë arrestuar dy ish-drejtorë të Telekomit të Kosovës të dyshuar për “keqpërdorim të detyrës zyrtare”.

Ky aksion është kryer nga Drejtoria e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Policinë e Kosovës.

Burime të Insajderi-t, brenda Telekomit thonë se behët fjalë për ish-drejtorin e Marketingut T.M dhe A.O ish-drejtorin e Financave.

Sipas burimeve, këta dy persona ka kohë që nuk janë të punësuar në Telekom, por akuzohen për kohës sa ishin.

Gazeta Online Insajderi, kishte raportuar në vazhdimësi për problemet në gjigantin e dikurshëm ekonomik.

Qeveria e Kosovës ka pasur takime të vazhdueshme me përfaqësuesit e kësaj kompanie publike. Por problemet nuk mbaruan.

Tash e disa muaj Telekom nuk ka as bord, ndërsa punëtorët disa herë kanë mbetur pa paga. Për ta shprehur pakënaqësinë edhe në rrugë.