Policia e Kosovës njofton se Inspektorati Policor ka suspenduar mbikëqyrësit i cili ka menaxhuar me veprimet policore në aksionin e së premtes të Partisë Socialdemokrate, përcjell Insajderi.
Sipas njoftimit, Inspektorati ka filluar hetimet penale lidhur me këtë rast, ndërsa ndaj kryepolicit është iniciuar edhe procedura për përgjegjësi komanduese.
“Po ashtu ndaj mbikëqyrësve tjerë kompetentë është iniciuar procedura disiplinore për përgjegjësi menaxheriale”, thuhet në komunikatën për media.
Aktiviteti i PSD-së është mbajtur të premten rreth orës 12:05 te objekti i Ministrisë së Drejtësisë, ku janë arrestuar tetë aktivistë, përfshirë edhe liderin e partisë, Dardan Molliqaj. Të tjerët janë liruar, por ky i fundit ndodhet në paraburgim, dhe ndaj tij, sipas policisë, është iniciuar rasti “Sulm ndaj personit zyrtar”.
Aktivitetin Policia e ka quajtur të paparalajmëruar ndërsa ka thënë se aktivistët e PSD-së dëmtuan 29 vetura zyrtare.
“Policia e Kosovës si institucion i zbatimit të ligjit në të gjitha rastet ndërmerr të gjitha veprimet konform Kushtetutës së Kosovës dhe ligjeve në fuqi, për të garantuar rendin dhe sigurinë publike, përfshirë edhe mbrojtjen e pronës private dhe publike.
Policia e Kosovës ç’do here ka njohur dhe njeh të drejtën e qytetarëve për tubime publike, fjalën e lirë në tubime publike, shprehjen e pakënaqësisë, protesta e manifestime publike në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi, mirëpo në rastin konkret disa nga protestuesit kanë dëmtuar pronat publike, gjegjësisht njëzet e nëntë (29) vetura zyrtare, duke i dëmtuar me shkrime me ngjyrë (sprej) dhe ngjitës (stiker)”, thuhet në njoftimin e policisë.
Të premten, tetë zyrtarë të PSD-së u arrestuan pasi shkruan me sprej në vetura zyrtare si protestë për kontratën që Ministria e Infrastrukturës ka nënshkruar për “tiketën ngjitëse” si taksë shtesë për veturat që regjistrohen.
Sipas kontratës, nga 1 shtatori, qytetarët detyrohen të paguajnë nga 5 euro shtesë kur regjistrojnë veturat./Insajderi.com