“Arrestimi i Llepotës çështje orësh” – edhe një muaj pas deklaratës së Qalajt, policia s’e ka arrestuar atë

“Arrestimi i Llepotës çështje orësh” – edhe një muaj pas deklaratës së Qalajt, policia s’e ka arrestuar atë

Janë bërë një muaj prej se Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, kishte deklaruar se arrestimi i Astrit Mehmetit i njohur me nofkën “Llepota” është “çështje orësh”.

“Në momentin e parë që kemi informacion ku është Astrit Mehmeti, do ta arrestojmë. Jemi duke punuar, besoj që do të arrestohet shumë shpejt. Është çështje e hetimeve dhe verifikimit të vendndodhjes, në momentin e parë që merret vesh vendndodhja e tij, nuk ka person që është i paprekshëm, është çështje orësh ose ditësh kur do të arrestohet” kishte thënë Qalaj, shkruan Insajderi.

Mirëpo, edhe pas rreth një muaji nga deklaratat e tij, ende nuk ka ndodhur arrestimi i “Llepotës”. Ai vazhdon të jetë në arrati.

Gazeta Insajderi ka pyetur dje Policinë e shtetit rreth kësaj çështjeje, por të njëjtit nuk kanë dhënë asnjë përgjigje deri tash.

Dy muaj më parë, më 9 nëntor, pranë hyrjes së klubit të natës “Duplex”, grupi i Astrit Mehmetit kishte hapur  zjarr ndaj katër rojeve të sigurimit të klubit, të cilët kishin mbetur të lënduar./Insajderi.com