Arrestimi i turvqe do të ketë pasoja për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës

Arrestimi i turvqe do të ketë pasoja për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës

Deputeti i Alternativës, Ilir Deda ka reaguar pas arrestimit të shtetasve turq gjatë ditës së sotme, në Kosovë.

Ai ka paralajmëruar pasoja serioze në rast se të arrestuarit do të deportohen.

“Arrestimi dhe deportimi i “gulenistëve” në Kosovë është kundër Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe qëndrimit përkatës të Këshillit të Evropës – direkt të zbatueshme në Kosovë me Kushtetutën tonë. Do të thotë, është shkelje flagrante e Kushtetutës së Kosovës”, ka shkruar Deda, përcjell, KosovaPress.

Ai tutje ka thënë se mund të ketë pasoja edhe për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Policia e Kosovës sot ka arrestuar pesë shtetas turq, ndërsa MPB njoftoi se atyre u është revokuar leja e qëndrimit në Kosovë.

Të arrestuarit janë drejtori i përgjithshëm të institucionit “Gulistan”, Mustafa Erdem dhe zëvendësi i tij Yusuf Karabina, drejtori i “Mehmet Akif” në Gjakovë, Kahraman Demirez, dhe dy mësimdhënësit Cihen Ozkan dhe Hasan H. Gunakan.

Jasmina Karabina, bashkëshorte e zëvendësdrejtorit të përgjithshëm të institucionit arsimor “Gulistan Yusuf Karabina, i arrestuar sot nga Policia ka thënë për KosovaPress se bashkëshorti i saj është arrestuar me urdhër të presidentit të Turqisë Rexhep Taip Erdogan.