
Policia e Kosovës ka arrestuar sot dy persona në Prishtinë pasi të njëjtit dyshohen për falsifikim të dokumenteve, me qëllim licencimin e një poliklinike pranë Ministrisë së Shëndetësisë.
Të dyshuarit janë një mashkull i kombësisë shqiptare me inicialet A.A. dhe një femër me kombësi serbe, me inicialet L.S..
“Janë arrestuar nën dyshim e bazuar se kanë kryer vepra penale ku përfshihen ‘Falsifikim i dokumentit zyrtar’ neni 434, ‘Rastet e posaçme të falsifikimit të dokumenteve’ nga neni 399, ‘Mashtrim” nga neni 335 dhe ‘Legalizim i përmbajtjes së rreme’ nga neni 403 i KPRK-së”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Të dyshuarit e potencuar lartë me iniciale dyshohet se kanë keqpërdorur dokumente, diploma etj., me qëllim që poliklinikën t’a Licencojnë në Ministrinë e Shëndetësisë.
Pas zhvillimit të hetimeve intenzive dhe profesionale nga Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për hetimin e krimeve ekonomike dhe korrupsionit, njësia rajonale në Prishtinë ekziston dyshimi i bazuar se janë kryer Veprat Penale të lartëpërmenduara.
“Gjatë hetimeve, janë trajtuar të gjitha provat me profesionalizëm. Lidhur me rastin në fjalë është konsultuar edhe Prokurori i rastit (në PTH-Prishtinë) i cili është njoftuar për të gjitha veprimet e ndërmarra nga Njësiti rajonal për hetimin e krimeve ekonomike dhe korrupsionit në Prishtinë (NJRHKEK). Nga i njëjti jemi udhëzuar që në Poliklinikë të bëhet një kontroll i përbashkët me Inspektoratin Shëndetësorë të Ministrisë së Shëndetësisë me qëllim të verifikimit dhe vërtetimit të gjendjes faktike për të gjitha dyshimet e ngritura”, ka njoftuar Policia.
Pas intervistimit të dy të dyshuarve të arrestuar (A.A.) dhe (L.S.), Prokurori i rastit ka lëshuar Aktvendim mbi ndalimin e tyre për 48 orë, për procedura të mëtejme sipas ligjit.