
Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, ka arrestuar dy persona të dyshuar për fajde, armëmbajtje pa leje, kanosje dhe shtytje në vetëvrasje.
Arrestimi vjen pas realizimin te dy operacioneve te ndara.
Një ne Shtime, ku është arrestuar 32 vjeçari K.S. Në shtëpinë e tij janë konfiskuar një revole e tipi BROWN, cal. 9mm, gjashtë copë fishekë dhe shënime me emra të personave të cilëve dyshohet se i njëjti u ka dhënë para me fajde.
Operacioni tjetër është realizuar në Lipjan, ku është arrestuar 35 vjecari B.M. dhe në shtëpinë e tij janë gjetur dëshmi me shënime relevante për dhënie të parasë me fajde.
Veprime hetimore lidhur me rastin janë ndërmarrë pas pranimit të informacioneve se personat e dyshuar, ia kanë dhënë viktimës së rastit para me fajde në vlerë prej një mijë euro, në fillim të këtij viti, ndërsa tani kërkojnë nga ai njëzet e katër mijë euro, si kamatë në emër të fajdes.
Gjatë kësaj periudhe te arrestuarit kanë kanosur me jetë viktimën, me qëllim që t’ua jap paratë. Si pasojë e presionit të ushtruar, viktima gjatë muajit qershor të këtij viti ka tentuar edhe të bëjë vetëvrasje.
Pas proceduarve të intervistimit të dy personave të dyshuar, me urdhër të prokurorit ndaj tyre është shqiptuar masa e ndalimit prej 48 orëve.