Arrestohen dy të dyshuar për ‘trafikim me njerëz’

Arrestohen dy të dyshuar për ‘trafikim me njerëz’

Arrestohen dy persona të dyshuar për përfshirje në veprat penale ‘trafikim me njerëz’ dhe ‘shërbime seksuale të viktimës së trafikimit’.

“Policia e Kosovës, në këtë rast Njësia për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore e Drejtorisë Rajonale Prishtinë, pas një hetimi të zhvilluar, më 16.01.2017 në orën 20:10, ka arrestuar dy persona të dyshuar me dyshimin e bazuar për përfshirje në vepra penale.”, thuhet në njoftimin e policisë.

Njëri nga të dyshuarit, sipas policisë, dyshohet për përfshirje në veprën penale ‘trafikim me njerëz’, ndërsa i dyshuari tjetër dyshohet për veprën penale ‘shërbime seksuale të viktimës së trafikimit’.

“Gjatë hetimeve është identifikuar një viktimë e mitur e cila është intervistuar dhe me të është vepruar në bazë të procedurave standarde vepruese”, vazhdon njoftimi.

Personat e arrestuar për dyshim përfshirjeje në veprat penale janë S. K. (1984), B. A. (1966), të dytë shtetas të Kosovës.

Në konsultim me prokurorin e Prokurorisë Themelore Prishtinë, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë./Insajderi.com