Arrestohen pesë persona që dyshohet të jenë përfshirë në një tentim grabitje në Gjakovë

Arrestohen pesë persona që dyshohet të jenë përfshirë në një tentim grabitje në Gjakovë

Pesë persona janë arrestuar të martën në Gjakovë, pasi dyshohet se janë përfshirë në një rast që është raportuar si “grabitje e armatosur në tentativë”, njofton Insajderi.

Policia njofton se ka arritur të identifikojë të dyshuarit e mundshëm dhe në konsultim me prokurorin janë kontrolluar pesë lokacione të ndryshme ku edhe janë bërë arrestimet.

“Më, 17.01.2021 rreth orës 18:30 në rrugën ”Ali Hasi“ në Gjakovë, është raportuar një rast ‘grabitje e armatosur e mbetur në tentativë’. Njësitet patrulluese së bashku me ato të hetuesisë së Stacionit Policor Gjakovë i janë përgjigjur rastit.

Mbështetur në ekzaminimin e provave nga vendi i ngjarjes është krijuar dhe ndjekur një pistë e hetimeve. Më, 18.01.2021 hetuesit policorë kanë arritur të identifikojnë të dyshuarit e mundshëm. Në konsultim me prokurorin e shtetit është hartuar një plan operativ dhe sot më, 19.01.2021 është realizuar urdhër kontrolli, ku janë kontrolluar pesë lokacione të ndryshme”, thuhet në komunikatë.

Të arrestuarit janë të rinj, për të cilët janë publikuar vetëm inicialet dhe datat e lindjes.

“Kontrolli ka rezultuar në arrestimin e pesë personave të dyshuar, është konfiskuar arma me të cilën dyshohet se është kryer vepra penale dhe me urdhër të prokurorit të shtetit të njëjtit janë ndaluar për 48 orë.

Të arrestuarit që dyshohet të jenë të përfshirë ‘tentim grabitje janë: B.M. d.l. 24.05.1997, mashkull kosovar, Q.G. d.l. 14.11.1997, mashkull kosovar, S. P. d.l. 06.06.1998, mashkull kosovar, B.P. d.l. 24.04.2000, mashkull kosovar dhe F. P d.l. 09.08.2003 , mashkull kosovar”, thuhet në komunikatë.

Hetuesit e Stacionit Policor Gjakovë janë duke analizuar provat e mbledhura dhe lidhshmërinë eventuale me veprat tjera të mundshme, të kësaj natyre për të cilat dyshohet se mund të jenë të përfshirë të njëjtit persona./Insajderi.com