Janë arrestuar tre persona, pasi dyshohen të jenë një “grup kriminal” që kanë “kryer” dhjetëra vjedhje në lokacione të ndryshme.
“Si rezultat i planifikimit, bashkërendimit të aktiviteteve dhe hetimeve të përbashkëta policore nga hetuesit e Regjionit të Prishtinës, Ferizajt dhe të Gjilanit, janë zbuluar një grup kriminalë i personave të dyshuar të cilët kryenin vjedhje të rënda në rajone të ndryshme të Kosovës”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Tregohet se për realizimin e vjedhjeve janë përdorur automjete të ndryshme dhe mjete të forta për hapjen e lokaleve.
“Ku për cak kanë pasur kryesisht vjedhjen e gjësendeve me vlerë si: para të gatshme, pajisje elektronike, armë, cigare në dyqane, e gjëra të ndryshme me vlerë”
“Me urdhëresë të gjykatës kompetente në Ferizaj janë aplikuar masat e fshehta ndaj të dyshuarve, të cilët kanë qenë nën hetim dhe vëzhgim policor, të cilët dyshohen për përfshirje në dhjetëra vepra penale të vjedhjeve dhe vjedhjeve të rënda të kryera në rajone të ndryshme, me ç ‘rast janë arrestuar tre (3) persona të dyshuar”.
“Si rezultat i hetimeve policore pas kryerjes së vjedhjes në një lokal në Prishtinë, sot është realizuar plani operativ për goditjen dhe arrestimin e të dyshuarve, ku në parkingun e një objekti banesor në rrugën ”C” të Prishtinës, fillimisht është arrestuar i dyshuari (R. A.), kurse të dyshuarit e tjerë të përfshirë në vjedhje edhe pse u janë dhënë urdhra të qarta për ndalim, kanë filluar ikjen duke përdor një veturë të tipit ‘Golf 5”, vazhdon njoftimi.
“Gjatë ikjes të dyshuarit me veturë kanë goditur dhe rrezikuar jetën e një zyrtari policor, ku për këtë, me urdhër të prokurorit është iniciuar rasti “Vrasje në Tentativë”, përderisa gjatë ikjes të dyshuarit kanë braktisur veturën në rrugë. Vetura e braktisur është sekuestruar së bashku me disa dëshmi të gjetura brenda në automjet e të cilat dyshohet se janë gjësende të vjedhura”. /Insajderi.com