Arrestohen tre persona të dyshuar për mashtrim

Arrestohen tre persona të dyshuar për mashtrim

Në vazhdën e pandërprerë të punës intensive të strukturave policore të  drejtorisë rajonale të policisë- Prishtinë, me synim dhe në drejtim të përmirësimit në vazhdimësi të parametrave të rendit dhe të sigurisë, duke i dhënë përparësi luftës kundër kriminalitetit  dhe veçanërisht rasteve të fundit të  mashtrimit  të paraqitura në stacionet policore, strukturat rajonale të hetimit të krimit kanë organizuar punën e tyre në drejtim të kapjes së personave që dyshohet të jenë të përfshirë në rastet në fjalë.

Kësisoj më datë  28/01/2019 pas një pune të shkëlqyer hetimore dhe veprimeve të avancuara operative – taktike, në një operacion të gjerë të ndërmarrë nga ana e hetuesve të njësitit të hetimeve të përgjithshme janë arrestuar tre persona të dyshuar, lidhur me disa raste të mashtrimit.

Personat e dyshuar;

N. Lepaja,  mashkull, 29 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës,

K. Lepaja, mashkull, 29 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, si dhe

V. Behrami,  mashkull, 40 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës,

dyshohet të jenë implikuar në veprën e mashtrimit , duke marrë nga   viktimat shuma të ndryshme parash (mijëra euro), duke u premtuar viktimave se do t’ua  rregullojnë vizat e punës  për vende të Bashkimit Evropian.

Mbështetur në rezultate e para të hetimit është ngritur dyshimi i arsyeshëm se ky mashtrim ka ndodhur në vazhdimësi për një periudhë  të gjatë kohore dhe dyshohet se numri i personave të mashtruar nga të arrin mbi 8 qytetarë të ndryshëm të cilët nuk kanë raportuar se janë mashtruar nga po njëjtit persona.

Pas arrestimit dhe marrjes së autorizimit nga ana e prokurorit, personat e dyshuar janë dërguar në qendrën rajonale të paraburgimit në Prishtinë, ku aktualisht hetuesit po kryejnë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore e procedurale para se rasti të dërgohet në gjykatë.

Ndërkohë që hetimi po vazhdon, për ta mundësuar dokumentimin e plotë të veprimeve të kundërligjshme të këtyre personave të dyshuar, policia fton të gjithë ata që janë viktimizuar nga ky mashtrim të paraqiten në stacionin më të afërt policor për denoncim.