Arrestohen tre shtetas të huaj në Prishtinë

Arrestohen tre shtetas të huaj në Prishtinë

Tre shtetas të huaj janë arrestuar mbrëmjen e së shtunës në Prishtinë, pasi dyshohen për vjedhje të rëndë në tentativë, njofton Insajderi.

Të arrestuar janë B.B., 20 vjeç, I.K., 34 vjeç dhe M.A., 31 vjeç, të cilët dyshohen se kishin tentuar që të vjedhin në një market në rrugën “Ilir Konushevci” në kryeqytet.

Rastin për Gazetën Online Insajderi e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

“Mbrëmë rreth orës 22:00, kemi pranuar informatën për një rast të vjedhjes së rëndë në tentativë, që ka ndodhur në një market në rrugën Ilir Konushevci në Prishtinë. Rastit menjëherë i janë përgjigjur njësitet policore, të cilat kanë arritë të identifikiojnë dhe arrestojnë tre persona të dyshuar. Mbështetur në rezultatet fillestare të hetimit dyshohet se personat e dyshuar kanë thyer xhamin dhe me forcë kanë depërtuar brenda marketit”, ka thënë Ahmeti.

Tutje, ajo njoftoi se hetuesit policorë po kryejnë veprimet e nevojshme hetimore dhe procedurale me qëllim të sqarimit dhe zbardhjes së të gjitha rrethanave që karakterizojnë këtë ngjarje.

Me urdhër të prokurorit, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje./Insajderi.com