Arrestohet babai i Nazit të “Aurorës”

Arrestohet babai i Nazit të “Aurorës”

Është arrestuar Fehmi Sfishta, babai i këngëtarit të grupit muzikor “Aurora”, i cili në qytet njihet me nofkën “Fehmi Teksasi”.

Sfishta është kapur të martën në flagrancë nga Policia e Kosovës duke pranuar një këst të fajdesë në vlerë prej 1 mijë e 200 euro.

VIDEO

Policia ka njoftuar sot se Fehmi Sfishta është arrestuar të martën rreth orës 13:30 në Prishtinë. Ai dyshohet për kryerjen e veprës penale të “fajdesë”.

“Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike, DHKEK me dt. 28.05.2019 ka realizuar Operacionin e Koduar ,, ERA”, i cili ka filluar nga ora 13:30, gjatë të cilit i dyshuari është kapur në flagrancë duke e pranuar këstin e fajdesë në shumë prej 1,200.00 euro”, ka njoftuar Policia, raporton Insajderi.

“Me ç’ rast është arritur të arrestohet personi i lart cekur, nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Fajdeja” nga neni 331, të KPRK-së, i cili gjatë periudhës kohore 2017-2019 me qëllim të përfitimit në mënyrë të kundërligjshme me kamatë (fajde), ka kontraktuar shuma të ndryshme të parasë duke përfituar shumën prej 70,000.00 euro”, ka bërë të ditur Policia.

Anëtari i grupit muzikor “Aurora”, Nazmi Sfishta, ishte bërë pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës rreth katër vite më parë. Madje, pas hyrjes në LDK, ai ishte punësuar në Ministrinë e Kulturës.

Sfishta mbante një post në departamentin për aktivitete letrare në Ministri.

Por, në vitin 2016, Nazi kishte njoftuar largimin e tij dhe anëtarëve të tjerë të grupit “Aurora” nga LDK-ja. /Insajderi.com