Arrestohet biznesmeni Armend Malazogu – dëmtoi veturën e gazetarit Vehbi Kajtazi

Armend Malazogu, një prej biznesmenëve që ka përfituar tenderë të mëdhenj nga shteti, aktualisht gjendet në ndalim policor për 48 orë. Ai është ndaluar me vendim të prokurorit për shkak të sjelljeve vandale.

Arrestohet biznesmeni Armend Malazogu – dëmtoi veturën e gazetarit Vehbi Kajtazi

Policia e Kosovës ka arrestuar biznesmenin Armend Malazogu, për shkak të dëmtimit të qëllimshëm të veturës së kryeredaktorit të Gazetës online Insajderi, Vehbi Kajtazi.

Arrestimi dhe ndalimi i tij për 48 orë është bërë me urdhër të prokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Menduhi Kastratit.

Incidenti ka ndodhur të premten në ora 9 e 30 minuta në rrugën Jonuz Zejnullahu në lagjen Pejton në Prishtinë, pak qaste pasi gazetari Kajtazi e ka parkuar veturën në këtë rrugë. Në momentin e parkimit, ka ardhur Malazogu duke urdhëruar Kajtazin që ta largojë veturën me arsyetimin se po e pengon.

Gazetari Kajtazi ka shpjeguar gjithë ngjarjen para hetuesve dhe prokurorëve të Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Menduhi Kastratit dhe Bashkim Zeqajt. Zeqaj së fundi është caktuar me vendim të kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi si koordinator i Prokurorisë për trajtimin e rasteve të kërcënimeve dhe sulmeve kundër gazetarëve.

“Sapo kam parkuar veturën, një person ka ardhur me veturë të tipit ‘Range Rover’. Ka hapur xhamin dhe më ka thënë që ta largoj veturën sepse po e pengon. I kam thënë se vetura nuk po shkakton asnjë pengesë dhe ka hapësirë të mjaftueshme për të lëvizur”, ka thënë Kajtazi.

Por, Malazogu ka insistuar ta largojë veturën me arsyetimin se lëviz 10 herë në ditë dhe se parkingjet në lagje u takojnë vetëm banorëve.

Kajtazi i ka thënë se kjo është pronë publike, dhe nëse të pengon vetura thirre Policinë.

Malazogu duke bërtitur ka thënë se do t’i thyej xhamat.

“Tash ta thej kerrin unë”, ka thënë Malazogu. “Hajde këqyre qysh ta thej kerrin”, ka vazhduar më zë të lartë ai, për ta goditur veturën e Kajtazit me pjesën e prapme të veturës së tij.

“Kur e ka goditur veturën time me veturën e tij, e ka futur në oborr dhe ka dalë duke thënë “tash thirre ti Policinë”, ka treguar Kajtazi.

Ai ka njoftuar Policinë. Në vend të ngjarjes kanë dalë njësitë e nevojshme të cilat kanë shoqëruar për në stacion të Policisë, Kajtazin dhe Malazogun.

Pas intervistimit të tyre, Prokuroria ka urdhëruar arrestimin e të dyshuarit.

Biznesmeni i arrestuar është një prej përfituesve më të mëdhenj të parave publike. Ai është aksionar në kompaninë Cactus. Kjo kompani ka fituar miliona euro nga Qeveria e Kosovës  duke nisur nga  furnizimi me licenca të Microsoft e deri te zhvillimi i një sërë aplikacionesh softuerike.

Malazogu, po ashtu, është aksionar në kompaninë “Frutomania” dhe pronar i firmës “Moea”.

Ai është një prej përfituesve më të mëdhenj të fondeve të Komisionit Evropian dhe Ministrisë së Bujqësisë, të cilat janë të dedikuara për investime në fushën e bujqësisë.  /Insajderi.com