Arrestohet drejtuesi i LVV-së në Shqipëri

Arrestohet drejtuesi i LVV-së në Shqipëri

Është arrestuar, Boiken Abazi, drejtor i Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri.

Përmes një reagimi në Facebook, VV thekson se “Aktivisti dhe drejtuesi i Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Shqipëri, Boiken Abazi, është arrestuar nga policia, në rrugë e sipër teksa po shkonte për të marrë pjesë në tubimin paqësor protestues pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme”.

Ata e cilësuan këtë arrestim “të porositur”, njofton Insajderi.

Boiken Abazi po shkonte në një tubim paqësor i organizuar nga Shoqata “Çamëria” dhe PDIU, në rastin e ministrit të jashtëm grek në Tiranë.

“Lëvizja VETËVENDOSJE! është për miqësinë e bashkëpunimin mes popujve, për të drejta evropiane për minoritetet, por mbi të gjitha për shtete të drejta e jo diskriminuese. Për sa kohë shteti grek vazhdon politika diskriminuese e armiqësore ndaj shqiptarëve, ne do të vazhdojmë ta themi të vërtetën, edhe duke protestuar, e Rama nuk mund të na ndalë me arrestime të shënjestruara”, thuhet ndër tjerash në reagim.

Kjo degë e LVV-së në Tiranë akuzoi direkt kryeministrin shqiptar, Edi Rama. /Insajderi.com