Arrestohet Jakup Krasniqi

Arrestohet Jakup Krasniqi

Pjesëtarë të EULEX-it bashkë me hetues të Gjykats Speciale kanë arrestuar ish-zëdhënësin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi.

Sipas burimeve të Insajderi-t, arrestimi erdhi pas nëntë orëve bastisje në pronat e Krasniqit.

Bastisja ka ndodhur fillimisht në shtëpinë e tij në Prishtinë, në lagjen Velania dhe më pas ka vazhduar në fshatin Negroc, ku Krasniqi ka një tjetër shtëpi.

Avokati i Krasniqit, Valon Hasani, ka thënë të mërkurën se ka pasur aktakuzë për klientin e tij, ndërsa veprat për të cilat dyshohet Krasniqi, ende nuk janë të specifikuara.

Hasani, në një konferencë për medie tha se tashmë është bërë nisja e tij për në Hagë, por që i njëjti dyshohet për veprat të cilat nuk janë specifikuar.
“Prokuroria e Specializuar ka pasur një aksion dhe në bazë të urdhrit të lëshuar nga Dhomat e Specializuara është bërë arrestimi i Jakup Krasniqit. Tani sapo është nisur për në Hagë. E konfirmuan aktakuzën kundër tij. Pritet që shumë shpejt të caktohet data e seancës… Procedura prej mëngjesit ka zgjatur për shkak se ka qenë operacioni i bastisjes në shtëpinë e Krasniqit. Dyshohet për vepra të cilat nuk janë të specifikuara, janë në kuadrin e veprave të cilat janë në juridiksionin e Dhomave të Specializuara”, tha Hasani.

Ndërsa, Faton Klinaku nga Organizata e Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e ka konsideruar si spektakël mënyrën sesi janë bastisur shtëpitë e Krasniqit.

Edhe për NSIMA-n Socialdemokrate një veprim i tillë ka qenë i panevojshëm, njofton Insajderi.

Në një konferencë të jashtëzakonshme subjekti politik pjesë e së cilit është Jakup Krasniqi, vlerësuan lartë rolin e këtij të fundit në kauzën kombëtare.

Reagime për këto zhvillime ka pasur gjatë gjithë ditës.  Më 24 e 25 shtator ndodhën arrestimet e para të EULEX-it me urdhërarreste nga Dhomat e Specializuara.

“Këto nuk janë asgjë”, pasi avokati i OVL së UÇK-së paralajmëroi për aksione të reja nga njësitet policore ndërkombëtare në Kosovë. /Insajderi.com