Kryeshefi i Komisionit të Pavarur për Media, Luan Latifi, është arrestuar të mërkurën nga Policia e Kosovës, nën dyshimin për marrje ryshfeti.
Siç merr vesh Gazeta Online Insajderi nga burimet brenda Policisë së Kosovës, i dyshuari me inicialet L.L., është arrestuar për bashkëkryerje të veprës penale “marrje ryshfeti” dhe për “keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Edhe Prokuroria Themelore në Prishtinë, gjatë së mërkurës ka njoftuar se Departamenti i Krimeve të Rënda, konkretisht Njësiti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, në koordinim me Policinë e Kosovës, më 29.06.2021, ka ndaluar personin me inicialet A.B., drejtor i Administratës dhe Financave në Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM), me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit”, nga neni 421 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Siç raporton ‘IndeksOnline’, personi i lartcekur dyshohet se ka marrë ryshfet në vlerë prej tetë mijë euro, me premtimin se do të ndikojë në mosndëshkimin e një subjekti biznesor, për një shkelje të pretenduar nga i dyshuari, gjoja se ky subjekt biznesor i ka shkelur rregullat e KPM-së.
I dyshuari, me aktvendim të Prokurorit të Shtetit, ndodhet nën masën e ndalimit prej 48 orësh.
Gjithashtu edhe Latifi i cili ishte i emëruar kryeshef i KPM-së në gusht të vitit 2019, është ndaluar nga autoritetet prej 48 orësh. /Insajderi.com