Arrestohet një oficer doganor për bashkëpunim në kontrabandim të barnave

Arrestohet një oficer doganor për bashkëpunim në kontrabandim të barnave

Një zyrtar doganor dhe një person tjetër janë arrestuar nën dyshimin se janë përfshirë në një rast të kontrabandimit me barna, njofton Insajderi.

Kjo pasi zyrtarët doganorë kanë gjetur një sasi të barnave në një veturë në afërsi të pikë kalimit kufitar, bëhet e ditur në njoftimin e Doganës.

Bazuar ne indikacionet e mëtejme, zyrtarët doganorë hetues kanë arritur të mësojnë se personi në fjalë posedon edhe një depo të improvizuar private në një parking nëntokësore në Prishtinë.

Duke vepruar mbi këto indikacione dhe në bashkëpunim dhe udhëheqje të Prokurorisë Themelore të Ferizajt, zyrtarët doganorë kanë hyrë në këtë depo, ku kanë gjetur stok të konsiderueshme të barërave ilegale në sasi prej 17 mijë 923 pako, 359 lloje të barnave.

“Bazuar në provat e gjetura dhe sipas urdhrit të Prokurorit të Prokurorisë Themelore në Ferizaj, është konstatuar dyshimi i arsyeshëm se zyrtari doganor në detyre ka qenë i përfshirë në lejimin e kontrabandës. Me këtë rast, hetuesit e Doganës pas urdhrit nga Prokurori, kanë arrestuar zyrtarin doganor si dhe personin e dyshimtë, ndërsa barërat ilegale janë sekuestruar të gjitha”, thuhet në njoftim.

Dogana tutje bën të ditur se suspendimi i zyrtarit përgjegjës do të bëhet me efekt të menjëhershëm si dhe do të iniciohet hetim mbi përgjegjësinë menaxheriale të mbikëqyrësit të zyrtarit në fjalë./Insajderi.com