Arrestohet një person për vjedhje të rëndë

Arrestohet një person për vjedhje të rëndë

Policia e Kosovës njofton se të enjten ka arrestuar një person, pasi i njëjti dyshohet se është përfshirë në një vjedhje të rëndë e cila ka ndodhur në një institucion financiar në rrugën “Hajredin Bajrami” në Lipjan, raporton Insajderi.

Siç bëhet e ditur në njoftimin për media, i arrestuari është H. G, mashkull, 31 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës.

“Pas një kontrolli që i ka bërë automjetit, policia ka gjetur dhe sekuestruar; një revole të tipit Zoraki, si dhe pesë fishekë. Ndërkohë që policia ka kontrolluar edhe perimetrin përreth, pak më tutje është gjetur edhe kasaforta (kasa) e zbrazët”, thuhet në njoftimin e PK-së.

Ndaj të dyshuarit është shqiptuar masa e arrestit policor dhe me urdhër të prokurorit të shtetit i njëjti është dërguar në mbajtje prej 48 orësh. Ndaj tij është iniciuar rasti “Vjedhje e rëndë” si dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i pa autorizuar i armës”.

“Aktualisht policia ka zgjeruar horizontin e hetimeve për të identifikuar edhe të dyshuarit e tjerë të mundshëm të ilet në çfarëdo forme mund të jenë implikuar në këtë rast”, thuhet tutje në njoftim./Insajderi.com