Ndalohet zyrtari i Komunës së Pejës, dyshohet për keqpërdorim të subvencioneve

Ndalohet zyrtari i Komunës së Pejës, dyshohet për keqpërdorim të subvencioneve

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ndaluar një zyrtar administrativ në Drejtorinë e Bujqësisë në Komunën e Pejës, nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit”, njofton Insajderi.

Në njoftimin për media bëhet e ditur se i ndaluari me inicialet A.B., dyshohet se ka marrë ryshfet në vlerë 48 mijë euro dhe i ka ndarë në mes të të pandehurve B.N., dhe S.Sh.

Këtë informacion e kanë konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës, të cilët kanë njoftuar se i dyshuari është arrestuar për keqpërdorime të subvencioneve.

“Prishtinë 02 mars 2021, Me datë 01-03-2021 në rajonin e Pejës, Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar, lidhur me dyshimet për keqpërdorime të subvencioneve. Me vendim të prokurorit të P.TH. Prishtinë, personi i dyshuar është ndaluar për 48 orë”, kanë thënë nga policia./Insajderi.com