Arrestohet për herë të dytë mashtruesi “ballkanik” nga Tetova

Arrestohet për herë të dytë mashtruesi “ballkanik” nga Tetova

Të martën rreth orës 13 e 50 minuta, në rrugën “Nikolla Teslla”, në Tetovë të Maqedonisë së Veriut, pjesëtarët e policisë së Tetovës, kanë arrestuar 44 vjeçarin me iniciale R.M., nga Tetova, për shkak të dyshimeve se ka kryer veprën penale mashtrim dhe gjatë ditës së mërkurë atij i është parashtruar padi adekuate penale në Prokurorinë Themelore të Tetovës, shkruan Insajderi.

Sipas policisë së Maqedonisë së Veriut, tetovari dyshohet se në muajt janar, mars dhe prill, duke prezantuar fakte të rrejshme, ka mashtruar një person nga Ohëri dhe dy shtetas të Serbisë, dhe në kundërshtim me ligjet në fuqi ka përfituar një shumë prej 2210 euro.

Të dëmtuarve, përmes thirrjeve telefonike dhe sms porosive, u ka thënë se të afërm të tyre kanë vdekur në aksidente trafiku dhe përmes një personi tjetër duhet që t`i dërgojnë para për transport dhe shpenzime tjera.

Personi R.M. edhe më herët është denoncuar se në mënyrë identike ka mashtruar 40 persona, në Maqedoninë e Veriut, Kosovë, Serbi dhe Shqipëri. Ai është nxjerrë para gjykatësit hetues në Gjykatën Themelore të Tetovës. /Insajderi.com