Arrestohet profesori i Ekonomikut në Shqipëri për trafikim me narkotikët

Arrestohet profesori i Ekonomikut në Shqipëri për trafikim me narkotikët

Personi që shihni në foto është 47-vjeçari Dritan Shoraj, i cili u arrestua të premten nga policia e Tiranës për llogari të drejtësisë Italiane. Gjykata e Apelit në Venecia e ka dënuar atë me 4 vite e 20 ditë burg për veprën penale “Pjesëmarrje në trafikun e lëndëve narkotike”.

Mësohet se në Shqipëri 47-vjeçari vijonte punën si akademik e doktor shkencash ekonomike. Forcat Operacionale të Policisë së Tiranës kryen arrestimin e përkohshëm të pedagogut të Fakultetit Ekonomik, në afërsi të Bulevardit “Zogu i Parë”, raporton Ballkan Web.

Urdhri i ndalimit i ishte përcjellë Policisë shqiptare përmes zyrës së Interpolit mesditën e së mërkurës. Ndërsa të premten në mbrëmje, Dritan Shoraj është vënë në pranga nga Forcat Operacionale, duke u izoluar në qelitë e paraburgimit, deri në një vendim të dytë për ekstradimin ose jo të tij në drejtim të Italisë.

“Kapet dhe arrestohet përkohësisht një shtetas shqiptar, i shpallur në kërkim ndërkombëtar me qëllim ekstradimi drejt Italisë. Seksioni i Forcës së Operacioneve Speciale dhe Kërkimit në Policinë e Tiranës, në bashkëpunim me Interpol Tiranën, në sajë të informacioneve të marra në rrugë operative kapi dhe arrestoi përkohësisht shtetasin shqiptar të shpallur në kërkim ndërkombëtar Dritan Shoraj, 47 vjeç, banues në Tiranë.

Gjykata e Apelit në Venecia, Itali, e ka dënuar këtë shtetas me 4 vite e 20 ditë burg për veprën penale ‘Pjesëmarrje në trafikun e lëndëve narkotike’, parashikuar nga nenet 110 dhe 81 të Kodit Penal italian. Veprimet e mëtejshme për këtë shtetas do të kryhen nga zyra e Interpolit”, tha zyrtarisht Policia e kryeqytetit.