Arrestohet punëtori i Postës – keqpërdori detyrën

Arrestohet punëtori i Postës – keqpërdori detyrën

Një punëtor i Postës së Kosovës është arrestuar sot nga Policia, respektivisht nga Departamenti i Krimeve Ekonomike.

Lajmin për Gazetën Online Insajderi e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë, Daut Hoxha, i cili tha se punëtori është arrestuar në rajonin e Gjilanit dhe dyshohet se ka kryer veprën penale “Përvetësim në detyrë”.

“Sot më datë 15.10.2020, Policia e Kosovës, Njësia Kundër Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit-Gjilan, pas pranimit të informacioneve relevante, ka intervistuar në prezencë të avokatit mbrojtës një person, nën dyshimin për ‘përvetësim në detyrë’”, ka thënë Hoxha.

Ai tutje ka shtuar se me aktvendim të prokurorit, i dyshuari është ndalur në Qendrën e Ndalimit për 48 orë, për procedura te mëtejme ligjore.

Nga ana tjetër, gjatë pasdites së sotme edhe Posta e Kosovës ka njoftuar se i ka ndëprerë marrëdhënien e punës një zyrtari të saj si pasojë e keqpërdorimit të detyrës së tij zyrtare në vendin e punës.

“Posta e Kosovës lidhur me këtë rast, menjëherë ka ngritur procedurë administrative ndaj zyrtarit,  ndërsa  ka marr vendimin për t’ia ndërprerë marrëdhënien e punës”, thuhet në njoftimin për media të këtij institucioni. /Insajderi.com