Arrijnë dozat e para të vaksinave anti-COVID nga Amerika

Arrijnë dozat e para të vaksinave anti-COVID nga Amerika

Kontingjenti prej 35 mijë e 100 vaksinave Pfizer ka arritur përmes programit CPVAX, mesditën e së premtes në Kosovë.

Ky është kontingjenti i parë donacion nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat kanë ndarë gjithsej 50 mijë doza për Kosovën që pritet të vijnë në vazhdim.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, në ceremoninë e pranimit të vaksinave, tha se ky donacion është pjesë e angazhimit të SHBA-së për të luajtur rol udhëheqës në luftën ndaj pandemisë.

Ai është zotuar edhe për dhurimin e kontingjenteve të tjera të vaksinave për Kosovën.

“Sa më shumë vaksina është forma e shpëtimit, kudo në botë dhe këto vaksina janë ndihmë për të përballuar me lehtë këtë pandemi. Vaksinimi funksionon vetëm nëse njerëzit vendosin të vaksinohen, vaksina të tjera do të vijnë”, tha Kosnett.

Ndërsa, Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, u ka bërë thirrje qytetarëve të vaksinohen kundër COVID-19, duke thënë se “vaksinimi është arma e vetme për ta mposhtur virusin”.

Sipas saj, ky akt nga SHBA-ja paraqet solidaritetin dhe rikonfirmon miqësinë mes Washingtonit dhe Prishtinës.

Ardhjen e vaksinave e ka mirëpritur edhe kryeministri Albin Kurti, i cili tha se ato do të administrohen brenda një ditë e gjysmë.

Ndërsa, shtoi se brenda vitit do të imunizohet 60% e popullatës.

“Të tregohemi të kujdesshëm duke respektuar masat dhe të vaksinohemi, kjo është rrugëdalja. Të ruajmë jetën e secilit”./Insajderi.com