Arrijnë vaksinat e para të blera nga Qeveria, nuk dihet numri i dozave

Arrijnë vaksinat e para të blera nga Qeveria, nuk dihet numri i dozave

Dozat e para të vaksinave ‘Pfizer’ të blera nga Qeveria e Kosovës, kanë arritur të hënën e 28 qershorit, njofton Insajderi.

Ndonëse ky kontigjent i shumëpritur tashmë ka mbërritur, Ministria e Shëndetësisë nuk ka bërë të ditur numrin e dozave të vaksinave me të cilat janë furnizuar së fundmi.

Sipas njoftimit nga Ministria e Shëndetësisë, nga grupet prioritare që janë vaksinuar javët paraprake, më 15 qershor ka filluar zbatimi i planit të ri të vaksinimit në masë, që zgjeron kategoritë për vaksinim me qytetarët me sëmundje kronike pa dallim moshe, mësimdhënësit, forcat e rendit dhe pjesëtarët e FSK-së, të përfshirë drejtpërdrejt në menaxhimin e pandemisë.

“Me ardhjen e dozave të para nga kontrata e Ministrisë së Shëndetësisë me Pfizer, vaksinimi në masë do të shtrihet edhe tek kategoritë e tjera të popullatës deri në arritjen e objektivit tonë për imunizimin aktiv të 60% të qytetarëve brenda vitit 2021. Këto vaksina do të ndihmojnë edhe më shumë punëtorët tanë shëndetësor, të cilët kanë qenë në ballë të betejës kundër pandemisë COVID-19 që nga dita e parë. Duke qenë se pandemia nuk është vetëm çështje e shëndetit publik, Ministria e Shëndetësisë dhe ekspertët shëndetësor kanë vënë prioritet vaksinimin në masë, për të siguruar kështu funksionimin normal të veprimtarive shoqërore që mundësojnë kthimin në një normalitet social dhe ekonomik për qytetarët dhe bizneset në Kosovë”, thuhet në njoftim.

“Për Ministrinë e Shëndetësisë, përveç sigurimit të vaksinave për të gjithë qytetarët, prioritet ka qenë që vaksinat të cilat administrohen në Republikën e Kosovës, të jenë vaksina të aprovuara nga EMA Evropiane dhe FDA Amerikane, dhe kështu vaksinat kundër COVID-it janë të sigurta dhe forma më efikase në përballjen me Pandeminë. Megjithatë edhe pas sigurimit të tyre, ne do të duhet t’i respektojmë në mënyrë strikte masat parandaluese, që janë distanca fizike, mbajtja e maskës, ajrosja e hapësirave të mbyllura, dhe higjiena e duarve, e cila duhet të vazhdojë të ruhet edhe pas vaksinimit”, thuhet tutje në njoftim.

Më 28 maj, MSH-ja kishte njoftuar se kishte firmosur kontratë me kompaninë ‘Pfizer’ për blerjen e 1.2 milionë vaksinave anti-COVID. /Insajderi.com