Një gardian serb dhe një tjetër zyrtar i Ministrisë së Diasporës, janë arrestuar sot nga Policia e Kosovës.
Kjo është bërë e ditur nëpërmjet një komunikate për media, ku theksohet se ata janë të dyshuar për ryshfet.
Stefan Veliçkoviq gardian në Burgun e Sigurisë së lartë në Dyz, dhe Petrit Mustafa kanë tentuar që të arratisin nga burgu malazezin, Mario Millosheviç, shkruan Insajderi.
Gardiani serb ka ofruar rreth tre mijë euro për ta krijuar mundësinë që Millosheviç të ikë nga burgu.
Këto detaje i ka bërë të ditur për Gazetën Insajderi, zv/Kryeprokurori i Prishtinës, Ibrahim Berisha.
“Stefan Veliçkoviq, gardiani serb që punon në burgun e sigurisë së lartë në Dyz, përmes Petrit Mustafës në bashkëpunim dhe përmes tij, ka ofruar diku 3 mijë euro për me ia kriju mundësinë me ikë nga burgu këtij Mario Millosheviç që është arrestuar në Prishtinë nga Njësia Speciale”, ka thënë Berisha për Insajderin.
Ai tutje ka thënë se do të bëjë kërkesë për paraburgim.
“Tash është bërë ndalja me urdhër timin, kemi filluar me hetimet dhe do të bëjë kërkesë për paraburigm”, deklaroi Ibrahim Berisha.
Malazezi që tentoi të ikë nga burgu i Dyzit, Mari Millosheviç ishte arrestuar në Prishtinë në muajin korrik bashkë me Gjorgje Poviceciq.
Aksioni i Policisë ndodhi në bashkëpunim me autoritetet e Malit të Zi, ku në Lagjen Emshir të Prishtinës, vunë në pranga shtetasit malazias që përveç tjerash akuzoheshin edhe per veprat penale: ‘blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge’ dhe ‘mbajtje në pronësi, kontroll apo posedim të armës’.
Millosheviç dyshohet për vrasjen e Cetinjanin Radomir Djurickovic në tetor të 2016.
E Poviceviq është i dyshuar që e ka ndihmuar Milloshevic të ikë nga spitali, ku po mbahej për të vuajtur dënimin për kidnapim dhe vrasje që kishte kryer në vitin 2015 në Kotor. Për të dy këta, INTERPOL kishte lëshuar fletëarrest ndërkombëtar. /Insajderi.com