Arsyeja e takimit të Erdoganit me presidentin e Shqipërisë dhe Kosovës

Arsyeja e takimit të Erdoganit me presidentin e Shqipërisë dhe Kosovës

Takimi me dy presidentët shqiptar, atë të Shqipërisë dhe Kosovës, menjëherë pas vrasjes së ambasadorit rus në Turqi, që sipas presidentit turk Recep Tayip Erdogan, është kryer me urdhër të organizatës “FETO” që drejtohet nga  lideri opozitar në ekzil Fethullah Gulen, do të ketë si temë kryesore kërkesën tashmë të ditur të Erdoganit: mbylljen e shkollave dhe të gjitha bizneseve e aktiviteteve të lidhura me Gulenin.

Kur puçi ushtarak kundër Recep Tayip Erdogan kishte dështuar, presidenti turk kishte alarmuar gjithë botën se krejt këtë e kishte organizuar rivali i tij i përbetuar që jeton jashtë Turqisë, Fethullah Gulen.

Kishte bërë kërkesë tek të gjitha shtetet, madje edhe tek ato të fuqishme që të rishikojnë funksionimin e bizneseve të Gulenit në vendet e tyre.

Por me një ton krejtësisht tjetër, gati urdhërues, i ishte drejtuar shteteve të vogla të Ballkanit, me fokus atyre të Kosovës dhe Shqipërisë.

Kërkesa ishte ripërsëritur pas disa vitesh që Erdogan kishte kërkuar në “emër të luftës kundër Gulenit” të mbyllen shkollat që funksionojnë në Kosovë dhe Shqipëri.

Por as Kosova dhe as Shqipëria nuk e kishin marrë parasysh këtë kërkesë.

Por vrasja e ambasadorit rus në Turqi dhe akuza e Erdoganit se këtë akt e ka kryer organizata e rivalit të tij, sipas medieve turke ka bërë që presidenti turk të kërkojë nga këto dy vende marrjen e masave emergjente.

E këtë, Erdogan e ka bërë gjatë takimit me presidentin shqiptar, Bujar Nishani dhe sipas medieve turke pritet ta bëjë edhe gjatë takimit me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë javës së ardhshme.

Madje mediat në Turqi, bazuar në burimet e tyre shkruajnë, se brenda takimeve me dy presidentët, ka qenë këmbëngulës në kërkesën e tij.

Por në paraqitjet publike, Erdogan është treguar më i kujdesshëm.

“Sot kemi diskutuar edhe për Organizatën Terroristë, FETO, e cila është një kërcënim i përbashkët i sigurisë së dy popujve vëllazëror”, tha Erdogan pas takimit me Nishanin në Ankara.

Edhe pse Shqipëria zyrtarisht nuk i është përgjigjur kërkesës së Turqisë për mbylljen e shkollave dhe bizneseve të Gulenit në Shqipëri, Erdogan i dha komplimente presidentit Nishani për atë që ai e quajti “lufta kundër FETO-s”.

“Personalisht falënderoj presidentin Nishani për mbështetjen e Shqipërisë në luftën kundër FETO-s. Kërkesave tona për Shqipërinë në luftën kundër strukturave që kërcënojnë Turqinë janë mbështetur në shpresën tonë të drejtë”, ka thënë Erdogan.

Por presidenti shqiptar, Nishani teksa foli në konferencë, ishte i kujdesshëm kur bëhet fjalë për rolin e Shqipërinë në luftën kundër strukturave të Gulen në Shqipëri.

Megjithatë në Ankara, Nishani ishte i shoqëruar me shefen e  Inteligjencës, Visho Ajazai Lika, një nga figurat më të rëndësishme në një kohë kur lufta kundër ekstremizmit fetar është një nga temat më të diskutuara në rajon.

Në maj të vitit 2015, gjatë një vizite në Tiranë, Erdogan kishte kërkuar nga Shqipëria për të dëbuar lëvizjen Gulen nga vendi. Të njëjtën gjë e kishte bërë edhe gjatë vizitës në Kosovë, përkatësisht në Prizren. /Insajderi.com