Arsyet e Behgjet Pacollit për të formuar qeverinë me PAN-in

Arsyet e Behgjet Pacollit për të formuar qeverinë me PAN-in

Behgjet Pacolli ka renditur një numër të arsyeve, të cilat sipas tij, ndikuan që Aleanca Kosova e Re (AKR) të bashkëpunojë me Ramush Haradinajn për të tentuar që të formojnë qeverinë e ardhshme të Kosovës.

Kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli, u ka sot shkruar një letër gjithë anëtarëve të Kryesisë së partisë së tij, për të arsyetuar vendimin për të hyrë në qeveri me PAN-in. Në këtë letër, Pacolli thotë se bllokimi i institucioneve është njëra prej arsyeve që e shtyen AKR-në të krijojë marrëveshje me PAN-in.

“Kosova nuk e ka luksin që të qëndrojë e bllokuar. Janë miliona e miliona euro që kanë humbur si rezultat i bllokadës politike. Madje janë rrezikuar edhe pagesat për veteranët e luftës nga bllokada. Në perspektivën afatshkurtër rrezikoheshin edhe pagat e mbi 60 mijë shërbyesve civil”, ka shkruar Pacolli.

Ai ka thënë se edhe humbja e miqve ndërkombëtarë dhe prishja e imazhit të Kosovës është njëra prej arsyeve.

“Ndërkombëtarisht Kosova po humb çdo ditë miqtë e vet, imazhin dhe besimin. Investitorët në vend se të vijnë, po ikin ndërsa Kosova ditë pas dite po izolohet”, ka thënë Pacolli.

Presidenti i AKR-së ka treguar edhe çështjet për të cilat kanë rënë dakord me koalicion PDK-AAK-NISMA, që të kenë prioritet në platformën e përbashkët qeverisëse.

“Reformat në administratën publike, ligjin e prokurimit, në gjyqësi për përshpejtimin e trajtimit të lëndëve të patrajtuara, rifunksionalizimin e zonave të lira ekonomike, krijimin e instrumenteve moderne për futjen e pronave të Kosovës në zinxhirin ekonomik, reformave në bujqësi, ruajtjen e ambientit, rifunksionalizimin e minierave, zhvillimin e infrastrukturës moderne, investimet në shëndetësi, arsim, kulturë dhe sport, ruajtjen e trashëgimisë kulturore”, ka thënë Pacolli.

Ai ka thënë se për këto tema “ekziston një dakordim i plotë”, me të nominuarin për kryeministër nga PAN-i, Ramush Haradinaj. /Insajderi.com