Arsyet pse dy ish-krerët e Kuvendit nuk kandidojnë për deputet

Arsyet pse dy ish-krerët e Kuvendit nuk kandidojnë për deputet

Dy ish-kryetarët e Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi dhe Nexhat Daci, nuk do të jenë pjesë e listave për deputet në zgjedhjet e 11 qershorit.

Ata kanë treguar arsyet pse nuk do të jenë pjesë e subjekteve të tyre politike në listën për deputet.

Jakup Krasniqi ka thënë se tashmë i ka kaluar të gjitha pozitat më të larta shtetërore.

“Në jetën time politike kam pasur e ushtruar të gjitha pozitat e mundshme, me përgjegjësi e përkushtim. Tani nuk do të jem kandidat për deputet. I gjithë angazhimi im është për shtetin e kombin. Kur vendi im është mirë, unë ndihem edhe më mirë!”, ka thënë për “Epokën e re” Jakup Krasniqi, aktualisht kryetar i Këshillit Kombëtar të Nismës për Kosovën.

Kurse Nexhat Daci, duke folur për moskandidimin e tij për deputet në kuadër të listës së LDK-së, ka thënë se nuk preferon ta përsërisë rrugën të cilën e ka kaluar.

“Jo. Nuk e përsëris rrugën të cilën e kam kaluar. Kam qenë deputet një kohë të gjatë. Po ashtu, edhe në funksione udhëheqëse të shtetit. Me shumë kënaqësi prej akademisë do ta ndihmoj një udhëheqje të pastër të filozofisë rugoviane dhe të aftë”, ka thënë Daci.