Arsyetimi i Ahmetit për mos pagesën ndaj Ujësjellësit

Arsyetimi i Ahmetit për mos pagesën ndaj Ujësjellësit

Kanë kaluar një vit e gjysmë prej që është përuruar fabrika për përpunimin e ujit në fshatin Shkabaj dhe ende nuk janë paguar të gjitha mjetet që janë investuar për ndërtimin e saj.

Kostoja e kësaj fabrike ka qenë 20 milionë euro, të cilat kanë qenë kredi të marra nga banka gjermane “KfW”, ku vetëm 7 milionë prej tyre janë kthyer.

Qeveria e Kosovës, në atë kohë e drejtuar nga ish-kryeministri, Isa Mustafa ka dhuruar 5 milionë euro dhe 5 milionë euro tjera i kishte premtuar Komuna e Prishtinës.

Mirëpo kjo e fundit nuk e ka paguar ende të gjithë shumën e caktuar.

Drejtori Ekzekutiv i Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit, “Prishtina”, Ilir Abdullahu në një intervistë ka thënë se Komuna e Prishtinës ende nuk e ka paguar edhe 2.5 milionë euro për fabrikën e ujit në Shkabaj.

“Kostoja e kësaj fabrike ka qenë 20 milionë euro, të cilat kanë qenë kredi e marrë nga banka gjermane KfW, derisa 7 milionë euro prej tyre janë kthyer, 5 milionë euro i ka dhuruar Qeveria e Kosovës dhe 5 milionë euro i ka premtuar Komuna e Prishtinës”, ka treguar Abdullahu.

Mirëpo për këtë i pari i Prishtinës, Shpend Ahmeti ka thënë për Insajderin se kjo shumë do të paguhet derisa kompania e ujësjellësit “Prishtina”, nuk do t’i sjellë kompanisë raportet financiare se si janë shpenzuar ato para.

“Ato para qe një vit e gjysme janë në llogari tonën.  Ne rekomandimet e auditorit e kemi udhëzimin që nuk bën të paguajmë shuma të tilla pa raporte financiare se si janë shpenzuar ato para.  Edhe tek ujësjellësi edhe tek donatori gjerman KfË ju kemi treguar që në momentin që marrim raportin e detajuar të shpenzimeve, ne i transferojmë mjetet”, ka thënë Shpend Ahmeti për Insajderin.

Fabrika për përpunimin e ujit në fshatin Shkabaj është paraparë për ta rritur kualitetin e jetës për qytetarët e Prishtinës dhe Obiliqin, pasi mundëson një furnizim të qëndrueshëm me ujë të pijes. /Insajderi.com