As shteti, as feja, por interesi!

Duke pasur parasysh faktin që, binomi Turqi – Islam bartë më vete një kompleksitet historik në relacion me shqiptarët, në aktualitet shfrytëzimi i këtij inercioni nga ana e Turqisë përbën një rrezik të madh. Pra, duke instrumentalizuar islamin (Ndërtimin e xhamiave) nga njëra anë dhe përmes modifikimit të historisë tonë me Perandorinë Osmane nga ana tjetër, Turqia po e realizon agjendën e saj në politikën e jashtme – jetësimin e neootomanizmit.

As shteti, as feja, por interesi!

Shkruan: Azdren Shala

Nuk është risi përpjekja e të mëdhenjve për të influencuar tek të vegjlit. Ka ndodhur gjatë gjithë historisë, ndodhë edhe sot, do të ndodhë edhe në të ardhmen. Qëllimet do të jenë ato të vjetrat, mjetet që do përdoren do të jenë të reja.

Kështu duke u bazuar tek e kaluara, është ngritur dyshimi i një tendence për zgjerim të influencës turke përmes një investimi të madh duke financuar ndërtimin e një xhamie.

Së bashku me projektin e ndërtimit të xhamisë së re në Prishtinë, është rikthyer edhe debati i vjetër, ku dy palë diskutojnë për një çështje të njëjtë duke shpalosur qëndrime të ndryshme, e me pasione të forta.

Nëse i hedhim një sy palëve, në përgjithësi na shpërfaqet në publik, pasioni i të parëve për të mbrojtur lirinë fetare dhe pasioni i të dytëve që kujdesen për mos devijim të agjendës kombëtare.

Sikur të ishin të sinqerta këto pasione, gjithçka do ishte në rregull. Pjesa e mbetur e debatit do mbyllej me një zgjidhje që kënaq të dyja palët.

Por, për fat të keq, të gjithë e dimë që nuk është ashtu. Edhe pala që e duan xhaminë me çdo kusht dhe pala tjerët që refuzojnë kategorikisht ndërtimin e asaj xhamie janë mëkatarë, dhe në krejt këtë kontradiktë e kanë edhe një pikë të përbashkët përveç mëkatit,  hipokrizinë.

Të parët e mbulojnë me petkun e një besimtari të devotshëm, të dytët me petkun e një atdhetari të shqetësuar.

Po fillojmë me mëkatarët e parë – “besimtarët e devotshëm”

Ata që insistojnë që ky projekt (Ndërtimi i Xhamisë) të jetësohet me çdo kusht, duke e interpretuar thjesht si një investim turk që vjen si pasojë e një shqetësimi të Erdoganit për mungesat e hapësirës për besimtarët myslimanë në Kosovë, ose i konsiderojnë të gjithë shqiptarët për të çmendur, ose mashtrimin e kanë bërë tashmë normë jetese. Dyshoj te e dyta, duke i njohur!

Që pas ndërtimit të kësaj xhamie, fshihet një agjendë politike e Turqisë, kjo nuk do shumë mend. Me pak njohje të historisë dhe aktualitetit, dyshimi nuk do duhej të ekzistonte për këtë rrezik potencial.

Vetë Turqia nën drejtimin e Erdoganit, për platformë të politikës së saj të jashtme i ka marrë tezat e Ahmet Davatoglus, të cilat projektojnë se Turqia në perspektivë duhet të rikthehet në ish territoret e Perandorisë Osmane, përmes investime kapitale në vendet e ish asaj perandorie. Këtë doktrinë të Neootomanizmit, të gjithë vendet e rajonit e dinë dhe si rrjedhojë marrëdhëniet diplomatike me Turqinë i ndërtojnë mbi bazën e një mekanizmi mbrojtës nga efekti potencial i asaj doktrine.

Paradoksal është fakti që një mekanizëm të tillë mbrojtës nuk e kanë ndërtuar vetëm shqiptarët, e në fakt ne do duhej të ishim të parët. E kaluara na thotë që pikërisht ne duhet të jemi më të kujdesshmit nga vendet e rajonit në relacion me Turqinë.

Duke pasur parasysh faktin që, binomi Turqi – Islam bartë më vete një kompleksitet historik në relacion me shqiptarët, në aktualitet shfrytëzimi i këtij inercioni nga ana e Turqisë përbën një rrezik të madh. Pra, duke instrumentalizuar islamin (Ndërtimin e xhamiave) nga njëra anë dhe përmes modifikimit të historisë tonë me Perandorinë Osmane nga ana tjetër, Turqia po e realizon agjendën e saj në politikën e jashtme – jetësimin e neootomanizmit.

Natyrisht, kjo agjendë realizohet përmes agjenteve në Kosovë, të cilët sot janë të fshehur me petkun e besimtarit të devotshëm dhe tundin furishëm flamurin e mbrojtësve të idesë për ndërtimin e Xhamisë së Madhe me milionat që jep Turqia.

Realizimi i kësaj agjende, i jep fund një agjende tjetër të shqiptarëve – integrimin në Evropë. E gjithë ajo ngrehinë që u ndërtua që nga Rilindja Kombëtare Shqiptare, duke shtruar infrastrukturën e një rrugëtimi kah perëndimi, shumë lehtë mund të devijojë për pak miliona që jep Turqia duke blerë mendje dhe shpirtra.

Mëkatarët e dytë – “atdhetarët e shqetësuar”

Për dallim nga të parët, që insistojnë në idenë e ndërtimit të kësaj xhamie, të dytët, ata që insistojnë që të pengohet ndërtimi i Xhamisë së Madhe, në emër të ruajtjes së linjës kombëtare, janë po aq mëkatarë dhe hipokritë sa të parët.

Paralajmërimi i tyre se pas ndërtimit të Xhamisë fshihet një rrezik i influencës turke në Kosovë është i saktë, por jo edhe shqetësim i sinqertë. Pas këtij pozicioni, fshihen dy gjëra: islamofobia dhe nevoja për protagonizëm kombëtar.

Kështu, qasja e tyre ekstreme, ku mohohet kategorikisht e drejta e një komuniteti shumicë për të pasur një objekt kulti i cili i plotëson nevojat e besimtarëve, nga njëra anë rrezikon tolerancën dhe harmoninë fetare mes shqiptarëve, dhe nga ana  tjetër shpërfaq hipokrizinë e tyre për kine shqetësim për zbehjen e fibrës kombëtare duke e forcuar fibrën fetare.

Edhe pse ky “rrezik” mund të jetë real , ata që ngrenë alarmin publikisht, nuk e kanë shqetësim të vërtetë. Kjo kuptohet lehtë përmes parashtrimit të një pyetje thelbësore për mohuesit:

Nëse me të vërtetë e shohin si problem ndërtimin e një xhamie mbrapa të cilit qëndron një rrezik i ndikimit turk, atëherë sa kanë bërë presion këta njerëz nga qeveritë e Kosovës nga 2010 e deri më sot që të investojmë vetë në ndërtimin e kësaj xhamie? – Të gjithë e dimë, zero përpjekje!

Përgjigja e kësaj pyetje e nxjerr një të vërtetë lakuriqe: mohuesit të ashtuquajtur kombtaristë, shumica nga ta, kanë qenë dhe janë pjesë edhe e politikës në mbrapaskenat e saj, por asnjëherë nuk kane iniciuar çështjen e ndërtimit të një xhamie me paratë tona për të shmangur kështu një rrezik të jashtëm turk, edhe pse e kanë pasur fuqi ta bëjnë.

Lënia pezull e këtij problemi, duke e hequr nga prioritetet e kësaj shoqërie, duket se është e qëllimshme. Për mohuesit, sa herë kanë nevojë problemi i xhamisë të shërbejë për higjienizim të figurave të tyre të pista duke dalur në skenë me flamurin e atdhetarit të shqetësuar. Ndërsa për politikanët çështja u shërben për të mbuluar problemet ditore të cilat në mungesë aftësie për ti zgjidhur i mënjanojnë nga fokusi publik duke e rikthyer debatin për Xhaminë. Mbulesë më të mirë deri më sot nuk kanë pasur.

Në fund, ky debat pa shije dhe pa kuptim, vetëm se ndikon në polarizim të skajshëm të shoqërisë tonë, prandaj është pa vlerë. Multifetarizmi jonë, ka shërbyer si urë mes dy civilizimeve, me këtë dalldisje fetare e kombëtare, e rrezikojmë të shndërrohemi nga urë në mur.

Prishtina duhet ta ketë Xhaminë e Madhe që tu shërbejë të gjithëve që kanë nevojë për të. Investimi turk, është faj i të gjithëve pa përjashtim./Insajderi.com