Sa i përket procesit të dialogut Kosovë-Serbi, administrata amerikane nuk ka vija të kuqe. Por, megjithatë, ajo paralajmëron se nuk do të pranojnë verbërisht çdo marrëveshje që do të mundë të arrihet mes dy palëve, dhe se Kosova edhe pas marrëveshjes duhet të mbetet multietnike.
Këtë e tha në intervistë ekskluzive për “Kohën Ditore” zëvendësndihmëssekretari i Shtetit, Mattew Palmer, i cili këto ditë ka qëndruar në Prishtinë.
Palmer nuk e ka përjashtuar as këmbimin e territoreve apo korrigjimin e kufijve si opsion të mundshëm për marrëveshje. Por ka thënë se marrëveshja do të përmbajë shumë më shumë se kaq. Do të jetë shumëdimensionale, dhe brenda vetes do të ketë edhe komponentë të tjera, prej atyre politike dhe të sigurisë, e deri tek ato ekonomike, kulturore, si dhe çështjet pronësore.
Palmer në intervistë siguron se SHBA-ja mbetet e përkushtuar ndaj shtetësisë së Kosovës, dhe se statusi nuk është temë e diskutimeve me Serbinë, ndërsa thekson se arritja e marrëveshjes mes dy presidentëve nuk do të mjaftojë që ajo të jetë e zbatueshme, dhe se së paku parlamentet e të dyja vendeve do të duhet të përfshihen.
“Vetëm fakti që dy presidentët arrijnë marrëveshje, nuk do të thotë se ajo marrëveshje do të ndodhë”, tha Palmer.